30 Ditë Paraburgim Zyrtarit të AKPM-së

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar 30 ditë paraburgim zyrtarit të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale M.S.

Kësisoj, gjyqtari i procedurës paraprake ka pranuar kërkesën për caktimin e paraburgimit, nën dyshimin se ky M.S ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës dhe atë të mashtrimit në detyrë.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.S në cilësinë e personit zyrtar, zotues në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore ka shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare me qëllim që vetit t’i sjellë përfitime pasurore të kundërligjshme me autorizim duke vepruar në kundërshtim me autorizimet zyrtare dhe duke tejkaluar kompetencat e tij në atë mënyrë  që ka bërë prezantime të rrejshme të raporteve me ç’ rast ka shkaktuar dëme në buxhetin e AKPM-së

Nën këtë dyshim, të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji duke filluar nga data 28 mars 2018.

Kundër këtij vendimi, mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit.