UNDP i dorëzon IKShPK-së pajisje për grumbullimin e mostrave për COVID-19

Qeveritë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Zvicrës, Norvegjisë dhe Austrisë, në partneritet me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, sot i kanë dhuruar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike komplet të PCR UNIVERZAL – VIRAL për grumbullim të mostrave për personat e dyshuar me COVID-19.

Kompleti ka 24 pako të PCR UNIVERZAL – VIRAL për COVID-19, e cila përmban 12 mijë copë teste.

“Ky donacion i pajisjeve të testimit rikonfirmon partneritetin tonë të përbashkët, të palëkundshëm dhe të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore, besimin se ne jemi më të fuqishëm së bashku në luftën kundër COVID-19, dhe është një tjetër shembull i shkëlqyeshëm i një përgjigje efektive ndaj krizës”, thuhet në komunikatë.

Që nga fillimi i përhapjes së pandemisë së COVID-19 bashkëpunëtorë të ndryshëm kanë ndihëmuar Kosovën për të luftuar pandeminë.

Numri total i rasteve pozitive është 16 mijë e 425 raste, 14 mijë e 460 prej tyre janë shëruar ndërsa 650 të tjerë kanë vdekur.