Ilustrim

Këshilla nga mjeku androlog

KUR TESTISI OSE TESTISET NUK KANË ZBRITUR NË QESEN E TYRE, ÇKA DUHET TË
BËHET?

Kur të lind fëmija i gjinisë mashkull, tashmë testiset e tij duhet te jenë në qesen skrotale pra poshtë në vendin e tyre, por kjo nuk ndodhë gjithmonë dhe kur mjekët neonatologë bëjnë vizitën e vlerësimit të përgjithshëm sigurohen që të verifikojnë pozicionin e testikujve.

Kur ato nuk kanë zbritur në qesen skrotale atëherë sugjerohet një vizitë te kirurgu i fëmijëve.

Ekzistojnë disa forma kur testisi nuk është në vendin e tij, kjo ndodhë te testis mobil e zakonisht kjo nuk kërkon intervenim kirurgjik por prindërit duhet të jenë në kontakt me mjekun, pra situatë që duhet përcjellur.

Ekzistojnë disa forma tjera kur testisi nuk është në vendin e tij, se pari mund të jetë testisi vetëm në njërën anë ose testiset në të dy anët që nuk kanë rënë në vendin e tyre, në mjekësi kjo gjendje quhet kriptorhidizem (Cryptorchidismus). Mjekët zakonisht presin për një periudhë gjashtë mujore për të parë nëse testisi do të zbresë spontanisht dhe nëse kjo nuk ndodhë atëherë intervenimi kirurgjik është i paevitueshëm.

Çfarë ndodhë nëse testisi nuk zbret dhe nuk bëhet një intervenim kirurgjik?

Studimet kanë konstatuar se vonesa e zbritjes së testisit pas moshës 2 vjeçare, sjellë dëmtime në përqindje të konsiderueshme duke bërë që funksioni riprodhues të bie çdo vit.

Prandaj ka shumë arsye pse duhet të mjekohet, së pari sepse fertiliteti mashkullor te testisi i ngecur ekspozohet ndaj një temperature trupore më të lartë në krahasim me testikulin në qesen skrotale që është më poshtë. Pra kjo ndikon direkt ne spermatogjenezë (proces i krijimit të spermatozoidëve).

Pastaj nuk duhet nënçmuar faktin që testisi i ngecur është i prirur për ndryshime malinje më vonë gjatë jetës. Kjo gjendje mjaft e shpeshtë, trajtohet me ndërhyrje kirurgjikale e cila nuk zgjatë më shumë se një orë, ndërsa shumica e fëmijëve kthehen shpejtë në aktivitetin e tyre normal të jetës.

Përkundër zhvillimeve në mjekësi ky është problem jo vetëm te ne por edhe në gjithë botën. Për të gjitha këto informacione të lartcekura është me rëndësi që prindërit të jenë të informuar dhe të bëjnë zgjidhjen e problemit në kohën e duhur, sepse sot gjatë punës me pacientë si mjek androlog shoh shumë të rritur që nuk janë trajtuar në kohë prandaj edhe kanë probleme me fertilitetin.

MESAZH PRINDËRVE mos e anashkaloni situatën dhe ndiqni rekomandimet e mjekëve!

 

Dr.Mentor Spahiu androlog