Ilustrim - Operacion kirurgjik - Foto: REL/Shutterstock
Spitali i Prizrenit pezullon operacionet e planifikuara, shkak mungesa e një ilaçi
Spitali i Prizrenit ka pezulluar operacionet e planifikuara (elektive) për shkak të mungesës së “Fentanil”-it, ilaç që përdoret kryesisht si qetësues dhimbjesh (analgjezik).
Ndërkaq, operacionet urgjente po kryhen me sasinë e vogël të “Fentanil”-it, i cili është produkt medicinal shumë herë më i fortë sesa heroina e morfina.
“Duke pasur parasysh faktin se nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK) jemi furnizuar me sasi të nevojshme për të kryer rastet urgjente, operacionet elektive për momentin janë shtyrë deri në furnizimin e rregullt me ‘Fentanil’” – tha drejtoria e Spitalit për KALLXO.com.
Vështirësi në furnizim me “Fentantil” kanë edhe Spitali i Ferizajt dhe ai i Gjilanit, por jo aq sa të pamundësohet kryerja e operacioneve.
Ndërsa, Spitalet në Mitrovicë, Gjakovë dhe Vushtrri thanë se janë mjaftueshëm të furnizuara.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje SHSKUK-së për të mësuar arsyet e këtij problemi, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Spitalin e Ferizajt, Fikret Arifi, tha se kanë pasur problem me furnizim afatgjatë me “Fentanil”, por momentalisht kanë pasi që janë furnizuar gjatë ditëve të fundit.
“Dje janë marrë 100 ‘Fentanil’. Kështu po na i japin 100, 150, 200, varësisht qysh kanë kapacitet. Ky problem i ‘Fentanil’-it kish qenë edhe në vitin e kaluar” – tha Arifi.
Edhe udhëheqësi i Spitalit në Gjilan, Arsim Emini, tha se kanë këtë vështirësi, por megjithatë janë furnizuar në sasi të vogla.
“Kemi vështirësi me furnizim me ‘Fentanil’, por deri tash në sasi të vogla na kanë furnizu. Deri tash nuk i kemi ndalë (operacionet). 50-100 ampulla na kanë furnizu kohëve të fundit, kur mendojshim që dojmë me mbet krejt” – tha ai.
Ndryshe nga këto, Spitali i Vushtrrisë përveç se ka mjaftueshëm për vete, ka ndihmuar edhe Spitalin e Prizrenit dhe SHSKUK-në me furnizim, sipas drejtoreshës së Spitalit, Shefkije Shatri.
“Ne kemi ‘Fentanil’. Ne jemi spital që ju kemi ndihmu edhe SHSKUK-së edhe Prizrenit sepse kemi bërë planifikim të mirëfilltë për këtë periudhë. Operacionet po bëhen pa pikë problemi” – tha Shatri për KALLXO.com.
U.d. drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, tha se qëndrojnë mirë sa i përket furnizimit me “Fentanil”. E Spitali i Mitrovicës ka këtë produkt në stok edhe për tre muaj, sipas zëdhënëses, Nita Mustafa.
Zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti, tha shkurt se operacionet janë duke u kryer normalisht dhe nuk kanë pasur ndërprerje të tyre.
Spitali i Prizrenit drejtohet nga Narqize Arënliu–Hoxhaj, ndërsa SHSKUK, që ka në mbikëqyrje edhe spitalet rajonale, udhëhiqet nga Elvir Azizi.
Pezullimi i operacioneve të planifikuara kishte çuar në shkarkimin e ish-drejtorit të Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari, gjatë verës së kaluar.
Zarari kishte vendosur që të ndërprejë punën në sallat operative sa i përket programit të planifikuar “për shkak të temperaturave të larta, pushimeve verore të stafit e kushteve jo të mira për punë”.