Studimi: Trupi i njeriut ka rreth 1.8 trilion qeliza të dedikuara për mbrojtjen e tij

Për herë të parë, një studim e ka matur madhësinë e sistemit imunitar: nëse do të ishte një organ, do të peshonte më shumë se një kilogram dhe do të përfaqësonte 0.2% të të gjitha qelizave njerëzore.

Për t’u mbrojtur në mënyrë adekuate kundër çdo patogjeni që mund të hyjë në trupin tonë, qelizat e sistemit imunitar duhet të jenë në lëvizje të vazhdueshme në mënyrë që të kryejnë mbikëqyrje edhe në pjesët më të largëta të trupit tonë. Qelizat imune jo-specifike (granulocitet, makrofagët, qelizat dendritike, qelizat NK dhe mastcitet, ndër të tjera) janë të shpërndara, por qelizat specifike të përfshira gjenden kryesisht në organet e imunitetit dytësor. Këtu bëhet prezantimi i antigjenit dhe stimulimi i limfociteve të afta për njohje.

Natyra e shpërndarë e sistemit imunitar ngre tri pyetje interesante që janë shumë të vështira për t’u përgjigjur. Sa qeliza imune ka në trupin e njeriut? Sa kemi në secilin organ? Dhe sa është pesha e tyre totale?

Një studim i publikuar së fundmi përpiqet t’u përgjigjet këtyre pyetjeve. Meqenëse është e pamundur të numërohen qelizat një nga një, studiuesit zgjodhën një strategji me tri drejtime.

Së pari, ata kryen një rishikim të gjerë bibliografik, duke i mbledhur të gjitha të dhënat e disponueshme në lidhje me praninë e qelizave imune në inde. Konkretisht, përveç të dhënave histologjike, ata u përpoqën të mbledhin dendësi të ndryshme qelizore, domethënë numrin e qelizave për gram ind.

Së dyti, ata përdorën pamje të qelizave shumëkanale, një teknologji e re që i jep mundësinë shumë biomarkuesëve të identifikohen njëkohësisht. Kjo lejon që indet komplekse dhe fenotipet qelizore të njihen.

Dhe, së treti, ata përdorën dekonvolucionin bazuar në modelet e metilimit. Dekonvolucioni qelizor konsiston në vlerësimin – duke përdorur teknika llogaritëse – proporcionin e qelizave që ekzistojnë në një ind specifik. Duke qenë se çdo qelizë ka një model karakteristik metilimi, kombinimi i të dyja teknikave i lejon studiuesit t’i identifikojnë nënpopullatat e ndryshme të qelizave të pranishme në një mostër.

Miliarda qeliza

Përdorimi dhe verifikimi i kryqëzuar i këtyre tri teknikave i ka dhënë mundësinë autorëve të arrijnë në përfundimin se një person prototip – i karakterizuar historikisht si një mashkull 20-30-vjeçar, me peshë 73 kilogramë dhe me lartësi 176 centimetra – ka gjithsej 1.8 x10¹² qeliza. Kjo është pothuajse dy miliardë (1.8 miliardë) qeliza. Kjo është shumë, veçanërisht nëse marrim parasysh se muskujt dhe indet dhjamore përbëjnë 75% të masës totale të trupit, por që duke qenë qeliza shumë të mëdha, përfaqësojnë vetëm 0.2% të të gjitha qelizave në trupin tonë.

Shumica e qelizave imune janë të vendosura në dy vende: në palcën e eshtrave dhe në indin limfatik. Palca e eshtrave përmban 40% të atij numri astronomik të qelizave – me neutrofile që përbëjnë 80%. Gjithsej 39% e qelizave imune ndodhen në indin limfatik, me një mbizotërim të konsiderueshëm të limfociteve. Lëkura, mushkëritë dhe trakti gastrointestinal përmbajnë secila prej 3% të totalit.

Makrofagët, të cilët janë të përfaqësuar dobët në shumë inde, mblidhen në mëlçi, ku përfaqësojnë 70% të qelizave imune në këtë organ. Tridhjetë përqind e të gjitha qelizave NK gjithashtu banojnë në organ. Bazuar në këtë, konstatohet se mëlçia luan një rol të rëndësishëm në përgjigjen imune të trupit, veçanërisht në lidhje me eliminimin e antigjeneve që kanë hyrë në traktin tretës.

Më shumë se një kilogram

Studimi i lartcekur ofron gjithashtu disa zbulime befasuese. Për shembull, nëse sistemi imunitar do të ishte një organ i fortë, do të peshonte 1.2 kilogramë. Ose, me fjalë të tjera, do të kishte pothuajse të njëjtën peshë me mëlçinë, e cila konsiderohet organi më i madh dhe më i rëndë.

Nga ato 1.2 kilogramë, makrofagët – të cilët përfaqësojnë vetëm 15% të totalit të qelizave imune – do të peshonin 600 gramë. Dhe qelizat dendritike edhe më të pakta do të peshonin 100 gramë të tjera. Kjo është për shkak të madhësisë së madhe të këtyre dy llojeve të qelizave. Në të kundërt, limfocitet do të peshonin më pak se 200 gramë, pavarësisht përqindjes së tyre të lartë, për shkak të madhësisë së tyre të vogël. Masa e qelizave imune të përfshira në palcën e eshtrave dhe indin limfatik është më e madhja nga të gjitha (përkatësisht 30% dhe 27% e totalit).

Megjithatë, surpriza më e madhe ka të bëjë me traktin gastrointestinal. Ndryshe nga sa mendohej, vetëm 3% e totalit të qelizave imune ndodhen atje, shumë më pak se sa pritej. Dhe është gjithashtu befasuese që rreth 70% e totalit të qelizave plazmatike, të cilat prodhojnë antitrupa, gjenden në traktin tretës.

Drejt së ardhmes

Ky studim është i rëndësishëm sepse kombinon qasje të shumta për t’i zgjidhur problemet që nuk mund të trajtohen drejtpërdrejt dhe që mund të jenë me interes për ta përcaktuar numrin e qelizave që i përkasin linjave të tjera.

Më e rëndësishmja, duke na dhënë një shpërndarje globale të qelizave të sistemit imunitar, ne mund ta kuptojmë më mirë organizimin e tyre global dhe, për rrjedhojë, si ta modulojmë atë për të hartuar terapi novatore.

Ignacio J. Molina Pineda de las Infantas, profesor i imunologjisë, Qendra Kërkimore Biomjekësore, Universiteti i Granadës.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në gjuhën spanjolle në The Conversation.