Trendi i rrezikshëm nga TikTok po i shqetëson shumë mjekët

Ilaçi për diabetin Ozempic është bërë një fenomen i mediave sociale si një ndihmë për humbjen e peshës, mirëpo popullariteti i tij në rritje ka rezultuar në mungesa globale dhe mjekët po paralajmërojnë për efekte anësore të mundshme.

Videot nën hashtagun #Ozempic kanë pothuajse 600 milionë shikime në TikTok, ku shumë përdorues i informojnë rregullisht ndjekësit për humbjen e tyre në peshë.

Është e mundur të humbasësh 40 kilogramë në më pak se tre muaj, falë Ozempic, thotë TikToker-i francez në një postim tipik në dhjetor me pothuajse 50,000 shikime.

“Është një mrekulli”, shton ai.

Ilaçi për injeksion nga kompania farmaceutike daneze Novo Nordisk fillimisht u zhvillua dhe u miratua në një numër shtetsh për trajtimin e diabetit të tipit 2.

Përbërësi aktiv i ilaçit, semaglutide, lidhet me receptorët për hormonin që e kontrollon sheqerin në gjak, duke e stimuluar lirimin e insulinës kur nivelet e glukozës janë të larta.

Ai e ngadalëson ritmin me të cilin ushqimi largohet nga stomaku i një personi, duke e ulur oreksin e tij.

Në fillim të vitit 2021, një studim zbuloi se gati tri të katërtat e njerëzve që përdorën ilaçin humbën më shumë se 10 për qind të peshës së tyre trupore.

Novo Nordisk që atëherë e ka zhvilluar një ilaç semaglutide me dozë më të lartë të quajtur ëegovy posaçërisht për trajtimin e obezitetit, i cili u miratua për përdorim në Shtetet e Bashkuara në vitin 2021 dhe në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar.

Wegovy nuk është ende në treg në MB, Francë dhe disa vende të tjera, por Ozempic është në dispozicion me një recetë normale.

“Jo një ilaç magjik”

Kjo ka çuar në një rritje të numrit të njerëzve pa diabet që marrin receta për Ozempic, si dhe falsifikimin e recetave, thotë Jean-Luc Faillie, specialist farmakologjie në Universitetin Francez të Montpellier.

Douglas Twenefour, udhëheqësi i kujdesit në ‘Diabetes UK’, ka deklaruar në faqen e internetit të bamirësisë se Ozempic nuk është një ilaç për njerëzit që nuk kanë diabet ose janë në rrezik të diabetit të tipit 2.

Organi rregullator francez i barnave ANSM u ka kërkuar mjekëve që ta përshkruajnë ilaçin Ozempic vetëm për diabetin.

Nuk ka pasur një rritje veçanërisht të madhe të konsumit në muajt e fundit, thonë zyrtyarë nga ANSM, duke shtuar se kishte “tensione të furnizimit” në të gjithë botën.

Novo Nordisk ka deklaruar për AFP se “kërkesa më e fortë se sa pritej” për Ozempic ka rezultuar në disponueshmëri të ndërprerë dhe rezervime periodike në të gjithë botën.

“Objektet globale të prodhimit të kompanisë tani po funksionojnë 24/7 për të kapërcyer hendekun”, shtoi ai.

Mjekët e kanë shprehur shqetësimin se njerëzit me diabet mund të mos jenë në gjendje të marrin semaglutide për shkak të rritjes së kërkesës nga njerëzit që kërkojnë të humbin peshë.

Karine Clement, eksperte e obezitetit në institutin francez të kërkimit mjekësor INSERM, thotë se është e rëndësishme që njerëzit t’i përmbahen rreptësisht rekomandimeve kur Wegovy të vihet në dispozicion.

Nuk është një ilaç magjik, thotë ajo. Siç ndodh gjithmonë me obezitetin, ai duhet të shoqërohet me një plan trajtimi gjithëpërfshirës.

Efekte anësore

Mjekët gjithashtu e kanë shprehur shqetësimin për efektet anësore të nën-diskutuara të semaglutidit.

“As pacientët dhe as mjekët nuk janë të motivuar të raportojnë efekte anësore”, thotë ai.

Marramendja është efekti anësor më i zakonshëm i ilaçit.

Por Faillie tha se ka edhe rreziqe më të rralla dhe më serioze, si pankreatiti akut – i cili mund të ndodhë edhe në doza më të ulëta – çrregullime biliare dhe raste të rralla të kapsllëkut të rëndë që mund të çojë në bllokim të zorrëve.

Ai gjithashtu vuri në dukje një rrezik në rritje të kancerit të tiroides pas disa vitesh trajtimi.

Ndërkohë që rreziqet janë të pranueshme duke pasur parasysh përfitimet për njerëzit me diabet, ka ende pasiguri, veçanërisht në pacientët obezë në terme afatgjata, thotë ai.

Nëse përdoret për të humbur vetëm disa kilogramë, atëherë nuk ka asnjë përfitim terapeutik, shton Faillie.

Do të ishte vetëm kozmetike, dhe rreziqet ende mbesin aty./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala