Studimi - Ushqimi ultra i përpunuar, efektet e dëmshme për shëndetin

Një përmbledhje gjithëpërfshirëse e ka ndërlidhur Ushqimin Ultra të Përpunuar (UUP) me 32 efekte negative shëndetësore, duke përfshirë rritjen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, kancerit, diabetit të tipit 2, çështjeve të shëndetit mendor dhe vdekjes së parakohshme. 

Ky rishikim, më i madhi i këtij lloji, hedh dritë mbi ndikimet e dëmshme të konsumit të UUP, i cili ka ardhur në rritje të vazhdueshme në mbarë botën.

Në vende si Britania e Madhe dhe SHBA, ku konsumi i UUP është veçanërisht i përhapur, me më shumë se gjysmën e dietës mesatare që përfshin ushqime të tilla, rreziqet shëndetësore janë të theksuara, veçanërisht në mesin e popullatave më të reja, më të varfra ose të pafavorizuara që mund të konsumojnë deri në 80% të dietës së tyre si UUP.

Të publikuara në BMJ, revistë e përjavshme mjekësore, gjetjet e vënë theksin tek nevoja urgjente për masa për ta reduktuar ekspozimin ndaj Ushqimit Ultra të Përpunuar. 

Rishikimi ka përfshirë ekspertë nga institucione prestigjioze si Shkolla e Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg, Universiteti i Sidneit dhe Universiteti i Sorbonës.

Ushqimi Ultra i Përpunuar, duke përfshirë artikuj si ushqimet e paketuara, pijet me sheqer dhe ushqimet e gatshme, i nënshtrohet përpunimit të gjerë industrial dhe shpesh është i ngarkuar me aditivë, sheqer, yndyrë dhe kripë, ndërkohë që ka mungesë të lëndëve ushqyese thelbësore. Pavarësisht studimeve të mëparshme që tregojnë rreziqet shëndetësore të lidhura me UUP, ky rishikim ofron një analizë gjithëpërfshirëse të provave.

Studiuesit e kanë kryer një rishikim ombrellë, duke analizuar 45 meta-analiza të bashkuara nga 14 artikuj rishikimi që përfshijnë të dhëna nga gati 10 milionë individë gjatë tre viteve të fundit. 

Provat kanë treguar vazhdimisht rritje të rreziqeve shëndetësore me konsum më të lartë të UUP, duke përfshirë vdekjet e lidhura me sëmundjet kardiovaskulare, çrregullimet e shëndetit mendor, diabetin e tipit 2 dhe obezitetin.

Megjithatë, studiuesit pranuan kufizime, duke përfshirë faktorë të mundshëm të pamatshëm që ndikojnë në rezultatet. 

Disa ekspertë paralajmëruan për fuqinë e provave dhe theksuan se shkaku nuk mund të përcaktohej vetëm nga këto gjetje.

Megjithatë, ekspertë si Dr. Chris van Tulleken nënvizuan përafrimin e këtyre gjetjeve me kërkimet ekzistuese, duke theksuar efektet e dëmshme të UPP në shëndet. Ai theksoi cilësinë e dobët ushqyese dhe taktikat agresive të marketingut pas konsumit të UPP.

Në një editorial, akademikët i kanë mbrojtur veprimet globale të ngjashme me masat e kontrollit të duhanit për të trajtuar konsumin e UUP. 

Për më tepër, një studim i veçantë i publikuar në Lancet Public Health propozoi etiketimin e kalorive të menusë si një mjet për të parandaluar mijëra vdekje të lidhura me sëmundjet e zemrës në Angli gjatë dy dekadave të ardhshme./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala