Studimi: Plastika mikroskopike mund ta rrisë rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër

Mjekët kanë lëshuar një paralajmërim në lidhje me rreziqet e mundshme shëndetësore të shkaktuara nga ndotja plastike, duke përmendur një rrezik të rritur ndjeshëm të goditjes në tru, sulmit në zemër dhe vdekjes së parakohshme te individët me enë gjaku të kontaminuara nga plastika mikroskopike, shkruan tabloidi britanik The Guardian.

Studiuesit në Napoli kryen një studim mbi pacientët me sëmundje arteriale, duke zbuluar se mbi gjysma kishin pllaka yndyrore që përmbajnë grimca të vogla polietileni ose klorur polivinil (PVC). Studimi është kryer nga revista mjekësore javore amerikane, New England Journal of Medicine.

Ata me pllaka të kontaminuara me plastikë kishin gati pesë herë më shumë gjasa të përjetonin ngjarje të pafavorshme kardiovaskulare gjatë 34 muajve në vijim krahasuar me ata pa kontaminim plastik.

Ndërkohë që studimi nuk vërteton përfundimisht se grimcat plastike shkaktojnë drejtpërdrejt goditje në tru dhe sulme në zemër, hulumtimi i qelizave të kafshëve dhe njerëzve sugjeron një lidhje të mundshme.

Dr. Raffaele Marfella, autori kryesor i studimit, flet për nevojën urgjente për parandalim duke reduktuar prodhimin e plastikës, pasi ndikimet shëndetësore të ndotjes plastike janë të gjera dhe të vështira për t’u zbutur.

Pavarësisht përpjekjeve për ta reduktuar ndotjen plastike, natyra e përhapur e çështjes do të thotë se çdo përfitim shëndetësor nga përpjekjet e pastrimit mund të marrë vite për t’u materializuar.

Hulumtimi u nxit nga një rritje e vërejtur e goditjeve dhe sulmeve në zemër në mesin e pacientëve të konsideruar më parë me rrezik të ulët, duke e çuar ekipin të hetojë nëse ndotja plastike mund të kontribuojë në dëmtimin e enëve të gjakut përmes inflamacionit.

Analiza laboratorike e pllakave të hequra nga pacientët me aterosklerozë zbuloi praninë e grimcave plastike, veçanërisht polietileni dhe klorur polivinil, së bashku me shenjat e inflamacionit.

Vëzhgimi i pacientëve me pllaka të kontaminuara me plastikë tregoi një rrezik dukshëm të rritur të ngjarjeve të padëshiruara kardiovaskulare.

Marfella flet për rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit për kërcënimin e mundshëm të ndotjes plastike për shëndetin e njeriut dhe planetin, duke i mbrojtur ndryshimet e stilit të jetesës dhe veprimet qeveritare për të adresuar këtë çështje.

Profesor Holly Shiels nga Universiteti i Mançesterit e nënvizon nevojën për kërkime të mëtejshme mbi ndikimin e mikro dhe nanoplastikës në shëndetin kardiovaskular, duke sugjeruar se këto grimca dhe toksina të lidhura mund të kontribuojnë në zhvillimin e aterosklerozës.

Studimi nënvizon nevojën urgjente për vëmendje të shtuar ndaj implikimeve shëndetësore të ndotjes plastike dhe rëndësinë e adoptimit të praktikave pa plastikë për mirëqenien e individëve dhe mjedisit./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala