Aborti - Foto: REL/Shutterstock

Rezultatet e një studimi të ri mund të ndihmojnë në parandalimin e 5 për qind të aborteve në vit

Një kuptim më i mirë i shkaqeve të abortit spontan dhe, në raste të caktuara, ndihma në parandalimin e tyre ishte fokusi i hulumtimit të një ekipi mjekësh të udhëhequr nga një gjinekolog danez, i cili tregoi se një test i thjeshtë gjaku mund të sqarojë pse disa gra nuk arrijnë të mbajnë një shtatzëni.

Pamundësia e mbajtjes së shtatzënisë prek çdo të dhjetën grua në botë. Ndodh më shpesh në vendet më të zhvilluara ku gratë vendosin të mbeten shtatzënë në një moshë më të shtyer.

Dr. Henriette Svarre Nielsen kohët e fundit botoi një punim me kolegët e saj nga Universiteti i Kopenhagës në revistën shkencore The Lancet, në të cilën ajo u përpoq të përcaktonte nëse aborti spontan ndodh për shkak të një anomalie kromozomale apo diçka tjetër.

Ndryshe nga testet e mëparshme, ky mund të përdoret që në fillim të shtatzënisë, që në javën e pestë.

Në rast të ndërprerjes së shtatzënisë, mund të bëjmë një analizë gjaku tek nëna për të zbuluar karakteristikat gjenetike të fetusit, thote doktor Svarre Nielsen për AFP.

Deri më tani, një test i ngjashëm në Danimarkë u ofrohej grave vetëm pas tri aborteve të njëpasnjëshme dhe nëse shtatzënia arrinte dhjetë javë ose më shumë shtatzëni.

Sot në klinikën në Hvidovre u ofrohet një analizë gjaku për të gjitha gratë që kanë bërë abort spontan dhe më pas vijnë në urgjencë. Dr. Svarre Nielsen thotë se më shumë se 75 për qind e pranuan kërkimin.

Pasi të izolohet dhe më pas të sekuencohet nga një test gjaku, ADN-ja e embrionit ose fetusit analizohet për të përcaktuar nëse ai mbart një anomali kromozomale që e pengon atë të vazhdojë të jetojë. Përgjigja është zakonisht pozitive në 50 deri në 60 për qind të rasteve.

Më pas, mjekët përpiqen të përcaktojnë nëse numri i kromozomeve të caktuara është më problematik se të tjerët dhe më pas ata mund ta përcaktojnë rrezikun në të ardhmen, shpjegon tekniku i laboratorit Lene Werge.

Nëse nuk ka anomali kromozomale, mjekët i drejtohen kërkimeve të kujdesshme.

Çekuilibri hormonal, sëmundjet endokrine, problemet e koagulimit apo edhe mënyra e jetesës mund të shpjegojnë ndërprerjen e hershme të shtatzënisë. I takon mjekëve t’i përcaktojnë rreziqet dhe të sugjerojnë terapi.

I nisur në vitin 2020, projekti i quajtur COPL është ende aktual dhe duhet të mundësojë krijimin e një baze të dhënash unike që do të përmbajë të dhëna për patologji të ndryshme falë të dhënave të mbledhura për një numër të madh pacientësh.

Do ta kemi një bazë të dhënash të besueshme për t’iu përkushtuar zgjidhjes së problemeve që lidhen me abortet spontane, riprodhimin, por edhe shëndetin e grave në përgjithësi, tha Dr. Svarre Nielsen.

Abortet spontane janë shumë të zakonshme dhe ndodhin në 25 për qind të të gjitha shtatzënive. Por prej vitesh nuk i kushtojmë vëmendje të mjaftueshme mekanizmave që i shkaktuan, si dhe se si ndikojnë në shëndetin mendor të çifteve, thotë Nielsen.

Para se të lindte dy fëmijët e saj, Rikke Hemmingsen pati tri aborte.

Sot, ajo është shumë e përfshirë në një projekt që jep shpresë se më pak gra do të duhet të përjetojnë atë që kam përjetuar unë dhe shumë gra të tjera.

Kjo do t’i jepte kuptim gjithë dhimbjes dhe trishtimit që e shoqëron çdo humbje të shtatzënisë, thotë ajo.

Dramat intime pas aborteve spontane diskutohen rrallë në publik, madje edhe kur diskutohen, reagimet mund të jenë të ngathëta, të papërshtatshme dhe të padobishme.

Kjo duhet diskutuar më hapur sepse njerëzit nuk do të besojnë se ka ekspertë në këtë vend që mund t’ju ndihmojnë, tha ajo.

Dr. Svarre Nielsen thotë se përfundimisht rezultatet e studimit mund të ndihmojnë në parandalimin e 5 për qind të 30 milionë aborteve spontane në mbarë botën çdo vit./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala