Deputetët e LVV dorëzojnë kallëzim penal për “abuzim me furnizim me oksigjen në spitalet e Kosovës”

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje sot kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për, siç thonë ata, abuzim me furnizim me oksigjen në spitalet e Kosovës.

Deputeti Fitim Uka, tha se përgjegjës për këtë janë Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe U.D i drejtorisë së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

“Jemi këtu për të dorëzuar një kallëzim penal për dy persona që janë përgjegjës për gjendjen me pandeminë në Kosovë siç është Ministri i Shëndetësisë, dhe drejtori i ShSKUK-së. Jemi përpjekur që fillimisht përmes Kuvendit dhe Komisionit parlamentar nuk na ka mbetë rrugë tjetër. Keni dëgjuar dhe besoj keni qenë dëshmitarë të deklaratave të Ministrit ku ka thënë se nuk ka pasë asnjëherë mungesë të oksigjenit pastaj ka thënë se nuk mundet të konfirmojë lajme të paverifikuara. Ne kemi parë edhe nëpër mediet tona dokumentim të qartë se si po furnizohen ambulancat e spitaleve rajonale me kompani të palicencuara  me oksigjen”, tha Uka.

Uka e ka quajtuar skandaloze furnizimin me oksigjen nga kompanitë e palicencuara si dhe deklaratat e Ministrit Zemaj që sipas tij janë të pavërteta.

“Skandal është se po furnizohen (spitalet) nga kompani të palicencuara dhe se si ky ministër nuk e ka thënë të vërtetën në raport me gjendje që ka egzistuar me oksigjen”, u shpreh ai.

Tutje ai foli edhe për hulumtimin e KALLXO.com ku tha se pas transmetimit të këtij hulumtimi sjellja e Ministrit të Shëndetësisë dhe drejtorit të ShSKUK-së, ka qenë e çuditshme pasi që sipas Ukës janë munduar të i ikin përgjegjësisë.

Sallamadia në Klinikën Infektive – LIVE

“Për ne ka qenë shumë e çuditshëm mënyra se si edhe Ministria e Shëndetësisë dhe drejtori i SHSKUK-së janë sjellë në komisionin e fundit ajo që kemi parë aty është një tendencë për t’i ikë përgjegjësisë, se sa për të na dhënë përgjigje konkrete ne kemi parë hulumtimin tuaj por ne kemi edhe dëshmi të pacientëve dhe stafit brenda se lejohen pacientët të qëndrojnë bashkë me pacientët me COVID dhe për ne është e papranueshme”, theksoi ai.

Ai gjithashtu theksoi se përderisa nuk mund të sigurohen barna për pacientët me COVID-19 familjarët janë të detyruar të qëndrojnë aty pasi që duhet blerë barnat për familjarët e tyre.

KALLXO.com dy javë më parë transmetoi hulumtimin ‘Sallamadia në Infektivë’ ku shihej se familjarët janë duke qëndruar në dhoma bashkë me familjarët.

Kosova tash e nëntë muaj është duke u ballafaquar me infeksionit COVID-19, dhe deri më tani janë infektuar 47.203 persona ndërsa kanë vdekur 1.220.