Shefi i BE-së në Serbi: Vënia e taksës ka qenë akt i njëanshëm

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, tha të premten se BE-ja është e përkushtuar për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, por tha se është e domosdoshme që Kosova të heqë taksën e vënë mbi mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Vënia e taksës ka qenë akt i njëanshëm dhe ky akt duhet të pezullohet që dialogu të vazhdojë”, tha Fabrizi për gazetarët në Beograd, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Ai shtoi se BE-ja e ka marrë mandatin nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për të udhëhequr dialogun dhe se forma e tij nuk do të ndryshojë.

Qeveria e Kosovës, qysh në nëntor të vitit të kaluar, u ka vënë taksë 100% mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Bashkimi Evropian ka bërë vazhdimisht thirrje për heqjen e saj, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë thënë se taksa nuk është në përputhje me interesat amerikanë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa do të mbetet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dialogu për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën nuk do të vazhdojë derisa kjo taksë të jetë në fuqi.

15 Mars 2019 - 19:37

REL 15/03/2019 - 19:37
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend