Rrjeti i kanalizimit problem për banorët e fshatit Senik të Malishevës

Pesë shtëpi në fshatin Senik të Komunës së Malishevës kanë mbetur të ndarë nga rrjeti i kanalizimit i cili tash e disa muaj po paraqet problem për ta.

Florim Jonuzaj është njëri nga banoret i cili për KALLXO.com thotë se ai bashkë me disa familje kanë mbetur të ndarë nga ky rrjet i kanalizimit i cili kishte ndërprerë punën në muajin korrik.

“Që tri vjet ka hynë kanalizimi në fshat jem nja 5-6 shpi qetu që nuk kemi mujtë me u kyç, komuna e ka lanë anash këtë punë, prej korrikut kanë ardh e i kanë qit vetëm 30 metra gyp edhe i ka qitë në rrugë, tash këtu e kanë blloku se s’po lajnë në rrugë me dal ujërat e zeza në rrugë, edhe këto shtëpitë këtu nuk janë të kyçën, i kanë nja 50-60 metra për mu kyç në puset kryesor aty ku është krejt lagja nuk vinë me kry punën”, tha ai.

Jonuzaj u shpreh se pavarësisht kërkesave drejtuar Komunën e Malishevës se kjo gjendje po i shqetëson banoret, ai thotë se nuk u ndërmor asgjë.

“Kanalizimet kanë mbet ksajde mshelë, po dalin në rrugë, kësajde janë edhe do puse është shumë keq, nuk merret kurrkush, na jemi kanë të rregullt si me tatim pronë s’kemi asnjë cent borxh, krejt ja paguajmë komunës, si kem borxh as për bërllok as për kurgjo, e kanë lanë qashtu, po ngajnë mas do punëve tjera, e si ka dhanë rendësi qe del ujërat e zeza në rrugë e kalojnë fmitë ksajde”, shtoi banori.

Drejtori i Urbanizimit në Malishevë, Islam Vrenezi thotë për KALLXO.com se tashmë kanë kontraktuar një kompani e cila do të merret me ketë çështje.

“Kompania kontraktuese e ka përfundu kontratën dhe e ka ndërpre për shkak që nuk kanë leju vetë qytetaret më vazhdu më punu aty, por tash e kemi gjet një zgjidhje. E kemi hap një tender veç për këtë vijë të rrugës që është përafërsisht 160 metra”, tha ai.

Ai tha se kanë përfunduar procedurat e tenderimit dhe që javën e ardhshme do të fillojnë punën që mundëson kyçjen e banorëve në rrjetin e kanalizimit.

 

19 Dhjetor 2018 - 07:24

Xheneta Murtezaj 19/12/2018 - 07:24
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend