Rrëfimi i baballarëve që lanë punën për t’u kujdesur për fëmijët

Dy baballarë të rinj në Prishtinë janë bërë shembuj të sfidimit të praktikave shoqërore në Kosovë duke marrë për barrë kujdesin e fëmijës së porsalindur.

Ligji momental i Punës nuk jep të drejtë për pushim me pagesë më shumë se tre ditë për baballarët e rinj.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka nisur punën për ndryshimin e ligjit që rregullon pushimin e lehonisë dhe atë prindëror. Me këtë projektligj është paraparë që një nënë që lind fëmijë të përfitojë në total 9 muaj pushim me pagesë ndërsa për babanë janë paraparë 10 ditë pushim atësie me pagesë.

Megjithatë disa prej baballarëve në Kosovë  kanë sakrifikuar duke sfiduar edhe pamundësitë ligjore vetëm për të qenë afër fëmijëve të tyre të porsalindur.

Agim Kelmendi, një baba nga Prishtina për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, rrëfeu se si i ishte dashur ta lërë punën që të kujdeset për djalin e tij.

“Unë kam qenë duke punuar në një kompani private, rroga nuk ka qenë shumë e mirë, na janë imponuar gjërat. Ndoshta e mira do të kishte qenë që me ndejtë me fëmijën tënd, fëmija me u rritë në kushte më të mira… Për shkak që bashkëshortja punonte me një pagë pak më të lartë është detyruar që ajo të kthehet në punë dhe unë të largohem nga ajo kompani dhe të filloj të kujdesem për djalin. E kam lënë punën për t’u kujdesur për djalin”, rrëfen Kelmendi.

Nga përvoja e tij ky baba u dha mesazh burrave që ta shfrytëzojnë pushimin, madje ai sugjeron që pushimi prindëror të jetë edhe obligativ.

“Unë nuk e di prej cilit vend ka ardhë kjo formë por nuk mendoj që është në rregull. Mendoj që duhet t’u ofrohet mundësi prindërve në njëfarë mënyrë të barabartë ndoshta shoqëria ka kërkesa të ndryshme prej të dyve por mundësinë që të jenë të barabartë duhet ta kenë të dytë… Kisha dashtë që pushimi për babanë të jetë obligativ dhe me pagesë”, shtoi ai.

Kelmendi nuk është babai i vetëm që ka sfiduar ligjin e rendin shoqëror duke qëndruar me fëmijët për ti dhënë gruas mundësinë e zhvillimit të karrierës. Ngjashëm, Jetmir Bakia një baba tjetër e konsideron veten me fat që për disa muaj ka mundur të qëndrojë pranë fëmijës së tij.

“Në njëfarë mënyrë kam pasur fat që me pasë pushim prindëror pas lindjes së fëmiut. Mirëpo kjo për shkak se një kohë kam punuar jashtë edhe kur jam kthy në Kosovë kam vendosur me i marrë nja dy muaj pushim”, tha Bakija.

Megjithatë ai nuk e sheh realiste që baballarëve ti ipet mundësia për pushim më të gjatë prindëror me pagesë meqë sipas tij rrezikohen vendet e punës në sektorin privat dhe rrjedhimisht edhe stabiliteti financiar i familjeve

“E di që nuk e kanë këtë mundësi shumë baballarë…. Mirëpo të rregullohet kjo me ligj, kam dronë që ndoshta nuk është e përshtatshme për rrethanat tona. është shumë me rëndësi që fëmija i porsalindur me i pas dy prindërit të paktën për një kohë sa ta merr veten, mirëpo është edhe më me rëndësi me ushqy atë fëmijë”, përfundoi ai.

Lidhur me këtë projektligj në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, pati kritika nga shoqëria civile ndërsa i njëjti u lavdërua nga bizneset.

Në anën tjetër, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale tregon se si po planifikon që të ndalojë diskriminin e grave në treg të punës për shkak të pushimit të lehonisë?

Për këtë temë flasin edhe sindikalistët dhe përfaqësuesit e  bizneseve.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

 

08 Nëntor 2018 - 21:09

Doruntina Baliu 08/11/2018 - 21:09
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend