Dr. Valbona Gashi

Si të kujdesemi nëse jemi alergjik në pluhurin e shtëpisë?

Pluhuri i shtëpisë është alergjeni më i zakonshëm ajror, i cili është përgjegjës në 80% të rasteve të problemeve alergjike të rrugëve respiratore ose rrugëve ajrore. Në këtë rast personat duhet ta kenë të qartë që nuk është pluhuri i zakonshëm ai që i shkakton këto probleme, por janë mikroorganizma të vegjël që nuk shihen me sy d.m.th mikroorganizma mikroskopik, akarienet d.m.th janë ata mikroorganizma të cilët janë përgjegjës të alergjisë.

Këto mikroorganizma gjenden kryesisht në materiale të leshta dhe ushqehen me qelizat e lëkurës tonë, qelizat e vdekura të lëkurës tonë, prandaj gjenden kryesisht në ambientet ku ne jetojmë d.m.th më së shumti gjenden në dyshekë, jorgan, jastëk pastaj në perde, tepih dhe kushtet optimale për rritjen dhe shumin e tyre janë ambientet e ngrohta dhe të lagështa.

Prandaj, gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit kur kemi më shumë ngrohje në shtëpitë tona dhe më pak ajrosje, krijohen kushtet për rritjen e tyre dhe për këtë arsye personat që kanë alergji në pluhurin e shtëpisë, gjatë kësaj periudhe të vitit d.m.th kanë përkeqësim të simptomave të tyre. Kurse, mjediset e ftohta dhe të thata janë të pafavorshme për rritjen dhe shumimin e tyre.

Pluhuri i shtëpisë është shkaktari më i shpeshtë i mbylljes së vazhdueshme të hundës, gjendje që ne e quajmë rinit alergjik dhe riniti alergjik pastaj është një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e astmës. Diku rreth 40% e personave që kanë rinit alergjik raportojnë për simptoma të astmës bronkiale, derisa 80% të personave me astmë bronkiale kanë të diagnostikuar rinitin alergjik.

Simptomalogjia te pluhuri i shtëpisë është një simptomalogji e intensitetit të ulët, por të vazhdueshëm d.m.th kjo i bën që personat në njëfarë forme të mësohen me atë mënyrë të jetesës dhe shpesh herë, në shumë raste nuk e kërkojnë ndihmën e mjekut deri për një kohë të gjatë dhe ata në atë kohë vetëm fillojnë të kenë simptome të tjera, më të rënda, me vështirësi në frymëmarrje, fishkëllima në gjoks, kollitje dhe simptoma, të cilat flasin për një progredim të sëmundjes.

Personat me alergji në pluhurin e shtëpisë kanë inflamacion të vazhdueshëm në rrugët e  frymëmarrjes edhe atëherë kur ata nuk kanë simptome. Kjo bën që këta persona të jenë vazhdimisht të ndjeshëm edhe ndaj infeksioneve të ndryshme, ndaj infeksioneve virale shumë më lehtë sëmuren sesa personat e tjerë jo-alergjik kur viruset qarkullojnë në ambient. Në anën tjetër janë po ashtu të ndjeshëm edhe ndaj ndotësve dhe irrituesve të ndryshëm ambiental si ndaj tymit të duhanit, pastaj preparateve të ndryshme të pastrimit ose ndotjes nga trafiku dhe të gjithë ndotësit e tjerë, të cilët pastaj me veprimet e tyre rrisin edhe më shumë inflamacionet te këta persona.

Përpos problemeve të frymëmarrjes, alergjia nga pluhuri i shtëpisë mund të përcillet edhe me ndryshim në lëkurë, manifestim ky që njihet si dermatit atopik, i cili karakterizohet me kruarje të theksuar, irritim dhe skuqje të pjesëve të caktuara të trupit.

Diagnostikimi i alergjisë në pluhurin e shtëpisë bëhet në bazë të të dhënave anamneztike, të dhënat që ne i marrim nga pacienti apo familjari i pacientit, pastaj nga pasqyra klinike ose simptomat e sëmundjes, gjithashtu rëndësi të madhe kanë dhe të dhënat për historinë familjare për sëmundje alergjike si dhe testet alergjike. Testet, të cilat mund të jenë teste kutane që aplikohen në lëkurë ose edhe teste serologjike.

Përveç këtyre metodave diagnostikuese kemi edhe metoda të tjera, të cilat përdoren për të diferencuar avancimin e sëmundjes d.m.th siç janë provat funksionale të mushkërive.

Për të pasur një trajtim të suksesshëm duhet të respektohen edhe masat e kujdesit. Personat me alergji në pluhurin e shtëpisë duhet të kenë kujdes t’i shmangen sa më shumë kontaktit me këto mikroorganizma. Fokusi kryesor duhet të jetë dhoma e gjumit për shkak se gjatë ditës, pjesa më e madhe e kohës kalohet në dhomën e gjumit, prandaj dhoma e gjumit duhet të jetë sa më pak e ngarkuar, të largohen perdet dhe tepihu, të largohen gjësendet tjera që mbledhin pluhur, pastaj është shumë i rëndësishëm ëprdorimi i çarçafëve antialergjik dhe pastrimi i shtëpisë të bëhet me fshesë me ujë e jo me fshesë të zakonshme.

Po ashtu, çka është shumë e rëndësishme, t’i shmangen kontaktit me duhan. D.m.th duhani është një prej shkaktarëve përkeqësues të alergjisë në këto raste, i cili përveç që ndikon në përkeqësimin e simptomave, njëkohësisht zvogëlon edhe efikasitetin e terapisë te këta persona duhet ta marrin.

Ndërkaq, terapia d.m.th është terapi simptomatike, e cila është shumë e rëndësishme për përmirësimin e simptomave dhe përmirësimin e kualitetit të jetës te këta persona dhe njëkohësisht për të penguar progredimin e sëmundjes. Në anën tjetër, përveç kësaj terapie është edhe terapia etiologjike që realisht këtu kemi të bëjmë me imuno-terapi alergjeno-specifike ose vaksinat për alergjinë d.m.th që njihen, me të cilën terapi ne synojmë të rirregullojmë përgjigjen imunologjike.

Marrja e vaksinave është shumë e rëndësishme për shkak se pengon avancimin e sëmundjes, pastaj një person që ka një lloj të alergjisë, gjithmonë ka tendencë të zhvillojë edhe alergji të reja.

Imuno-terapia alergjeno-specifike ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe te alergjia në pluhurin e shtëpisë për shkak se pengon përparimin e sëmundjes dhe kalimin e rinitit në astmë alergjike. Në anën tjetër, personat të cilët kanë një lloj të alergjisë gjithmonë kanë tendencë të zhvillojnë edhe alergji të reja dhe me imuno-terapi pengohet ky zhvillim i sëmundjes.

Procesi i vaksinimit është i lehtë dhe zgjat përafërsisht prej 3-5 vite, varësisht nga niveli i sëmundjes dhe shkalla e alergjisë.

Për të shikuar videon e plotë, klikoni në këtë LINK