Faton Krasniqi- Neonatolog- Pediatër - FOTO KALLXO

Këshillat e mjekut: Trajtimi i problemeve diafragmale te të porsalindurit

Hernia diafragmale është një gjendje gjatë të cilës organet e barkut nuk janë të vendosura mirë dhe është një emergjencë e madhe për mjekët. Kështu thotë  për KALLXO.com Faton Krasniqi- Neonatolog- Pediatër.

“Hernia diafragmale është një defekt i murit të barkut ku për pasojë organet e barkut kalojnë nga hapësira e barkut në 70 deri 80 përqind në pjesën e majtë, një pjesë e vogël është në pjesën e djathtë. Është një prej emergjencave të para pas lindjes që ka nevoje për ndërhyrje kirurgjike nga kirurgu i  fëmijëve. Hernia diafragmale ka një shpeshtësi prej 2 mijë e 500 deri në 5 mijë lindje. Në vitin 2018 kemi pasur gjashtë raste prej tyre katër fëmijë janë operuar me sukses dy prej tyre kanë vdekur. Prognoza e tyre nëse shoqërohet me defekte të tjera mund të jetë deri në 40 përqind vdekshmëri. Edhe në ditët e sotme shkaku i vërtetë i hernisë diafragmale nuk dihet“, tha ai .

Sipas doktorit diagnoza mund të bëhet edhe gjatë ekzaminimeve rutinë të një gruaje shtatzënë e kjo sipas tij bëhet rreth javës së 20-të të shtatëzanisë.

“Është shumë me rëndësi që të dihet diagnoza në bark të nwnës sepse nëse dihet atëherë nuk bëhet ventilimi me ampulë sepse e përkeqëson gjendjen.  Shenjat tjera të hernisë janë tahikardi ose frekuencë e shpejtuar e zemrës, tërheqje ndërbinjore, cianozë apo nxirje e buzëve, gjuhës dhe pjesëve tjera të trupit.  Nëse ka një depërtim masiv të organeve në hapësirën e majtë atëherë këta fëmijë kërkojnë mbështetje respiratore. Hapat e parë që duhet bërë është të vendoset një sondë nezogastrike që ka për qëllim shkarkimin e zorrëve, hapi tjetër është të bëhet ventilimi mekanik, hapi i radhës është kyçja e vijës venozë dhe marrja e materieve ushqyese, hapi tjetër janë ekzaminimet plotësuese që të vërtetohen ose përjashtohen defektet e tjera të lindura”.

“Hernia diafragmale pasi të bëhen të gjitha përgatitjet preoperative zakonisht në ditën e dytë apo të tretë fëmija transferohet në kirurgji të fëmijëve , prej momentit të lindjes deri në fazën operative fëmija trajtohet nga ne/neonatologët, pjesa postoperatore menaxhohet nga kujdesi intensiv”, thotë dorktori Faton Krasniqi- Neonatolog- Pediatër, raporton KALLXO.com