Ajri i ndotur në Prishtinë- Foto: KALLXO.com

Mbrojtja e fëmijëve nga ajri i ndotur, këshilla nga mjeku

Ajri i ndotur është bërë shqetësim për qytetarët. Ekspozimi ndaj një ajri (i ndotur) të tillë ka bërë që spitalet të kenë numër më të madh të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore.

Pjesë e grupmoshave më të ndikuara nga ajri i ndotur janë fëmijët. Sipas Faton Krasniqit Neonatolog-Pediatër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ajri i ndotur prek shumë fëmijët e sidomos ata me sëmundje kronike të mushkërive si është astma.

“Çdo fëmijë deri në moshën 2 vjeçare ka mesatarisht katër deri në gjashtë epizode të infeksionit të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Më shumë paraqiten gjatë vjeshtës dhe dimrit. Në paraqitjen e këtyre infeksioneve kanë rëndësi faktorët imunologjikë të fëmijës dhe faktorët e mjedisit si ekspozimi ndaj ajrit të ndotur, tymit të duhanit apo qëndrimit në vende kolektive“, tha Krasniqi.

Sipas doktorit fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj ajrit të ndotur sidomos në vendet urbane dhe me trafik të madh.

“Ndikimi i ajrit të ndotur në traktin respirator të fëmijëve është bërë një shqetesim i madh që po ndikon drejtëpërdrejtë në shëndetin e fëmijëve. Dëmet në cilësinë e ajrit shkaktojnë ndryshime të pafavorshme në traktet e poshtëme të frymëmarrjes te fëmijet më të ndjeshëm”, tregon doktori Krasniqi.

“Te fëmijët, ndotja e ajrit mund të shkaktojë, të kontribuojë ose përkeqësojë sëmundjet e frymëmarrjes, sidomos ata me astme bronkiale. Ekspozimi i fëmijëve ndaj ndotjes së ajrit që lidhet me trafikun është  shqetësimit i madh, dhe merret si faktor etiologjik i sëmundjeve të traktit respirator të fëmijëve” thotë Krasniqi.

Doktor Krasniqi thotë se ka arsye të provuara se përse fëmijët janë më të prirur për të reaguar ndaj ajrit të ndotur.

“Së pari, sepse mushkëritë e një fëmije janë ende në rritje dhe ekspozimi i hershëm ndaj ndotësve të mjedisit mund të  dëmtoj funksionimin e mushkërive. Së dyti, fëmijët, veçanërisht fëmijët parashkollorë, janë dukshëm fizikisht me aktivë se të gjitha kategoritë e adoleshentëve dhe të rriturve që mund të çojë në depozitimin e sasive të mëdha të ndotësve mjedisorë në traktin respirator. Së treti, fëmijët e vegjël që kanë bllokim të hundëve dhe marrin frymë me gojë, anashkalohet filtri i hundës duke lejuar hyrjen e një numri të madh dhe të shumëllojshëm të ndotësve në rrugët e poshtme të frymëmarrjes”, tha Krasniqi.

Doktori thotë se ekziston një lidhje midis ndotjes së ajrit që shoqërohet me përkeqësimin e astmës dhe infeksioneve respiratore te fëmijët. Ai thotë se ndërlikimet paraqiten te fëmijët që nuk kanë imunitet të fortë në forma të ndryshme.

“Fëmijët sidomos nën 1 vjeç  janë me imunitet të komprimituar, prematurët, fëmijët me anomali të lindura të zemrës  janë më të rrezikuar prej infeksioneve respiratore dhe mund të kenë nevojë për hospitalizim”, thotë doktori, transmeton KALLXO.com.

Sipas doktor Krasniqit, mjekimi është simptomatik, jepet terapi kundër temperaturës kur ajo është e pranishme, rekomandohet konsumimi i lëngjeve, lirimi i rrugëve të frymëmarrjes dhe gjithmonë këshillohet që prindërit që kanë fëmijë me simptoma të kollitjes, vështirësi në frymëmarrje, fishkëllime, temperaturë jo stabile, të konsultohen me mjekun më të afërm, ndërsa fëmijët me gjendje më të rëndë klinike të drejtohen te pulmologu pediatër në Klinikë të Pediatrisë.