Gjithçka gati për Final 8 të Kupës së Kosovës

Federata e Basketbollit të Kosovës dhe KB Rahoveci të martën në zyre të FBK-së në një konferencë për media, kanë folur për ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës e cila do të mbahet në Rahovec.

Final 8 i Kupës së Kosovës do të organizohet prej 27 shkurt deri më 3 mars në Rahovec.

Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka thënë se FBK-ja dhe KB Rahoveci i kanë bërë të gjitha përgatitjet për Final 8 të Kupës së Kosovës.

“Federata e Basketbollit të Kosovës dhe KB Rahoveci i kanë bërë të gjitha përgatitjet organizative për Final 8 të Kupës së Kosovës dhe ne jemi gati që gjithçka të filloj të mërkurën”, ka thënë ajo fillimisht.

Dushku e ka lavdëruar punën e KB Rahovecit që e ka bërë për organizimin e këtij aktiviteti.

“FBK e përgëzon KB Rahovecin për punën e madhe që e ka bërë jo vetëm për organizimin e këtij aktiviteti, por edhe për përkushtimin dhe vullnetin e madh që e kanë treguar për përfundimin e punimeve në palestrën e re, e cila do të inaugurohet nesër në hapjen solemne. KB Rahoveci me ndihmën e Komunës së Rahovecit e kanë bërë një punë të mrekullueshme që gjithçka të jetë gati për të mërkurën”, ka potencuar ajo.

Alban Rama, anëtar i Bordit të KB Rahovecit, ka thënë se janë të gatshëm dhe nga sot ka filluar shitja e biletave e cila do të jetë 2 euro dhe 1 euro.

“Ne jemi të gatshëm dhe qysh nga sot ka filluar shitja e biletave, ku do të ketë bileta ditore me çmim 2 euro, derisa për tifozët e ekipeve do të ketë bileta të veçanta 1 euro, pasi që ata do të jenë të pranishëm vetëm në ndeshjet e skuadrave të tyre dhe më pas duhet të lirojnë palestrën”, ka thënë Alban Rama.

Ai ka thënë se do të ofrojnë siguri dhe do të jenë në shërbim të të gjitha skuadrave dhe të FBK-së.

“Me padurim presim që të fillojë Final 8 i Kupës së Kosovës dhe të dëshmojmë se KB Rahoveci e ka merituar një organizim të tillë. Ekipeve ju dëshiroj mirëseardhje dhe sukses në ndeshjet e tyre. Ne si klub premtojmë që do të jemi të gatshëm dhe në shërbim të të gjitha skuadrave dhe FBK-së”, është shprehur i bindur Rama.

Kapiteni i KB Prishtinës, Edmond Azemi, ka thënë se Prishtina e ka synim që ta mbrojë trofeun e fituar një vit më parë.

“Sa i përket Final 8 të Kupës së Kosovës synimet e Z Mobile Prishtinës janë që ta mbrojë trofeun e fituar një vit më parë dhe besoj se me potencialin që e kemi në skuadër do të arrijmë ta realizojmë këtë synim”, ka thënë Edo.

Basketbollisti i KB Rahovecit, Rron Grapci është shprehur i lumtur që do të luajnë në palestrën e tyre dhe do ta kenë mbështetjen e tifozëve.

“Ne jemi shumë të lumtur që do të luajmë në palestrën tonë dhe para tifozëve tanë. Jemi përgatitur maksimalisht si ekip për të gjitha ndeshjet dhe shpresojmë që të fillojmë me këmbë të mbarë në palestrën e re. Synimet e KB Rahoveci janë sigurimi i një vendi në finale” është shprehur i entuziazmuar Grapci.

Irma Konjusha, kapitene e KB Prishtinës te vajzat, ka thënë se synimi i tyre është që ta mbrojnë titullin e fituar një vit më parë.

“Synimet e Prishtinës janë që ta mbrojë trofeun e fituar një vit më parë, por për të arritur deri në finale ne duhet që ta mposhtim Bashkimin të mërkurën në gjysmëfinale, gjë që nuk do të jetë aspak e lehtë”, ka thënë kapitenia e KB Prishtinës.

Ndërkaq, kapiteni i KB Bashkimit, Qëndrim Biraj, ka thënë se ekipi i tij është përgatitur maksimalisht për Final 8 dhe synimi i tyre është që të shkojnë në finale.

Edhe kapiteni i KB Ylli, Altin Gashi, thotë se janë të përgatitur dhe presin fitore ndaj KB Feronikeli, i cili bën gara në Ligën e Parë.

“Në çerekfinale do të përballemi me KB Feronikelin, që bën gara në Ligën e Parë, por që për asnjë moment nuk do ta nënçmojmë, pasi që e dimë potencialin e tyre. Sidoqoftë ne jemi përgatitur dhe do të hyjmë në çdo ndeshje për të fituar dhe për të shkuar sa më larg në Final 8 të Kupës së Kosovës”, shprehet kapiteni i Yllit.

Ulpiana Emra, basketbolliste e KB Bashkimit, thotë se synimi i tyre është që fillimisht ta mposhtin Prishtinën të shkojnë në finale e pastaj ta fitojnë atë.

“Skuadra është në formë shumë të mirë, atmosfera është mbresëlënëse, andaj besoj se i kemi të gjitha kushtet që të triumfojmë së pari në gjysmëfinale dhe më pas edhe në finale”, ka potencuar Ulpiana Emra.

Jeta Zeka, kapitene e KB Penzas ekip i cili veçse e ka siguruar finale duke e mposhtur Vëllaznimit, ka thënë se në finale do ta japin  maksimumin.

“Ne kemi arritur që pa katër përforcimet tona, që tashmë janë larguar të triumfojmë në gjysmëfinale kundër Vëllaznimit, ndërsa në finale do të japim maksimumin pavarësisht që do të luajmë vetëm me lojtare vendore”, ka thënë Jeta Zeka.

Qëndrim Ajazaj, kapiten i KB Ponte Prizrenit, ka thënë se nuk do ta kenë të lehtë përballjen me Bashkimin, por presin të dalin fitues ndaj rivalit lokal.

“Jemi përgatitur për duelin me KB Bashkimin. E njohim mjaft mirë se kundërshtar, andaj do të bëjmë përpjekje që të shënojmë fitore dhe kështu të avancojmë tutje në Final 8 të Kupës. Nuk do ta kemi lehtë, sepse Bashkimi është një skuadër mjaft e fortë dhe kjo është vetëm një ndeshje, andaj do të hyjmë të fokusuar që nga minuta e parë e deri te fundit dhe besojmë se do të dalim fitues nga kjo ndeshje”, ka thënë Qëndrim Ajazaj.

Kapiteni i KB Feronikeli, Mustafë Merovci, ka thënë se janë të kënaqur që janë pjesë e Final 8 të Kupës së Kosovës.

“Ne jemi shumë të kënaqur që do të jemi pjesë e Final 8 të Kupës së Kosovës. Përballë do ta kemi një skuadër cilësore si KB Golden Eagle Ylli dhe do të japim maksimumin”, ka thënë Merovci.

Duhet theksuar se fitues të Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar janë KB Z Mobile Prishtina te djemtë dhe KB Prishtina te vajzat.

Më poshtë mund ta shikoni orarin e Final 8 të Kupës së Kosovës 

Bashkimi – Prishtina 14:00 (Vajzat/Gjysmëfinalja e II-të)

Z Mobile Prishtina vs Trepça  16:30

Rahoveci vs Don Bosko 19:00

E enjte (28.02.2019)

Golden Eagle Ylli vs Feronikeli  16:30

Ponte Prizreni vs Bashkimi 19:00

E premte (01.03.2019)

Gjysmëfinalja e I-rë, 16:30

Gjysmëfinalja e II-të, 19:00

E shtunë (02.03.2019)

19:00, Ndeshja për medaljen e bronztë

E diel (03.03.2019)

14:00, Finalja në konkurrencën e vajzave

17:00, Finalja në konkurrencën e djemve