Francë: Prezervativë falas për të rinjtë dhe kontracepsion urgjent falas për të gjitha gratë

Prezervativët falas tani janë në dispozicion për të rinjtë nën moshën 26 vjeç në farmacitë franceze, si pjesë e asaj që presidenti francez Emmanuel Macron e ka quajtur “një revolucion të vogël në kujdesin shëndetësor parandalues”.

Strategjia e re shëndetësore, e cila ka si qëllim frenimin e përhapjes së sëmundjeve seksualisht të transmetueshme (STD) midis të rinjve në Francë, hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti dhe u njoftua nga presidenti Macron në dhjetor të vitit të kaluar. Fillimisht synohej për moshat 18-25 vjeç, por më vonë u përfshi edhe për të miturit.

Kontracepsioni urgjent gjithashtu do të jetë i disponueshëm falas për të gjitha gratë pa recetë që nga 1 janari, sipas një postimi në Twitter nga zëdhënësi i qeverisë Olivier Veran të hënën.

Që nga 1 janari i vitit 2022, gratë franceze nën moshën 26 vjeç kishin tashmë qasje në kontracepsion falas. Kjo përfshinte konsultime me mjekë ose mami dhe procedura mjekësore të lidhura me kontraceptivin e tyre të zgjedhur.

Vendimet e fundit vijnë pasi autoritetet shëndetësore vlerësojnë se shkalla e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme në Francë ka shënuar rritje me rreth 30% në vitet 2020 dhe 2021, njofton agjencia e lajmeve Reuters.

“Është një revolucion i vogël në kujdesin shëndetësor parandalues. Është tejest me rëndësi që të rinjtë tanë të mbrohen gjatë marrëdhënieve seksuale”, ka deklaruar Macron në dhjetor të vitit të klauar./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala