Facebook debuton me veglën e dhurimit të gjakut në ShBA

Facebook-u nuk është më vetëm një vend për t’u lidhur me ish-shokët e shkollës së mesme, gjigandi i mediave sociale tani dëshiron ta lehtësojë lidhjen me bankat e gjakut, raporton CNN.

Të mërkurën, Facebook ka lansuar veglën për dhurimin e gjakut në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar përdoruesit të gjejnë vende për të dhuruar gjak në zonën e tyre dhe të njoftohen kur një qendër e dhurimit të gjakut mund të ketë nevojë për gjak.

Ky funksion i lejon përdoruesit të regjistrohen si dhurues të gjakut në pjesën “rreth” të profileve të tyre dhe pastaj të marrin njoftime nga qendrat e dhurimit të gjakut. Ky lansim vjen në kohën e verës, një sezon kur donacionet e gjakut janë zakonisht të ulëta.

“Në pesë qytete amerikane, ne do të bëjmë një njoftim në krye të ‘News Feed’, duke u kërkuar njerëzve të regjistrohen nëse duan”, tha Sheryl Sandberg, zyrtarja kryesore operative e Facebook, për Korrespondentin Mjekësor të CNN, Sanjay Gupta në një intervistë ekskluzive të martën.

Këto qytete janë Çikago, Nju Jorku, San Francisko, Baltimori dhe Uashingtoni, por kjo vegël do të zhvillohet në mbarë vendin në muajt e ardhshëm, sipas Facebook.

“Pastaj, nëse ka mungesë gjaku në qytetin tuaj, partnerët tanë si Kryqi i Kuq Amerikan mund t’ju njoftojë juve dhe t’ju jap mundësi për të dhuruar”, tha ajo. “Kjo është një mundësi për ne, ne mendojmë, për të ndihmuar njerëzit që të kontribuojnë për njëri-tjetrin në një mënyrë që është me të vërtetë e rëndësishme”.

‘Kjo mund të … ndryshojë sistemin e rezervave të gjakut’

Vegla të ngjashme për dhurimin e gjakut kanë nisur në Indi, Pakistan, Brazil dhe Bangladesh.

Më shumë se 35 milionë njerëz kanë nënshkruar të jenë dhurues të gjakut në Facebook në vendet ku vegla për dhurimin e gjakut është e disponueshme, sipas gjigantit të medias sociale.

Tani, “marrja e rezultateve që Facebook ka arritur në Brazil, Indi dhe Pakistan, mund të na ndihmojë neve të dyfishojmë numrin e dhuruesve të gjakut në Shtetet e Bashkuara”, tha Cliff Numark, nënkryetar i lartë i Kryqit të Kuq Amerikan.

Çdo vit, rreth 6.8 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara dhurojnë gjak, sipas Kryqit të Kuq Amerikan.

“Kjo mund të ndryshojë tërësisht sistemin e rezervave të gjakut në Amerikë”, tha Numark.