Dr. Hajdin Thaçi - Foto: KALLXO.com

Doktori Kosovar rrëfen se si nxori brusha e gozhda nga barku i pacientit

Gëlltitja e objekteve të huaja është problem me të cilin ballafaqohen mjekët e Otorinolaringologjisë (ORL), të cilët duhet të ndikojnë për t’i nxjerrë ato nga hunda, veshët dhe fyti i pacientëve.

Kalimi i objekteve në rrugët e frymëmarrjes është me një rrezikshmëri të lartë pasi që pengon procesin normal të hyrjes së ajrit.

Hajdin Thaçi, doktor i ORL-së, thotë për KALLXO.com se me raste të tilla ballafaqohen kryesisht me moshat pediatrike.

“Fjala është për trupat e huaj në rrugët e frymëmarrjes që quhet çdo gjë që vjen nga jashtë dhe futet në rrugët e frymëmarrjes duke e ditur se në hyrjet e gojës kemi kavitetin që është rrugë e përbashkët edhe për ushqimin edhe për rrugët e frymëmarrjes ndërsa në bazë është laringu i cili ka rol mbrojtës për të mos lejuar mjetet e forta të kalojnë nëpër të. Në raste të veçanta rryma e ajrit tërheq trupat e huaj si kokërr fasule, farë kungulli, mjetet e forta metalike, gozhda, të cilat i tërheq rryma e ajrit dhe kalojnë në rrugë të frymëmarrjes dhe ndodhë drama trakeobronkiale – fëmija me kollitja dhe nxirje mundohet ta heq nga rrugët e frymëmarrjes po jo gjithherë arrin që ta nxjerrë jashtë trupin e huaj dhe si i tillë mund të mbetet në laring apo të shkojë në bronke e mushkëri. Këto janë rastet më urgjente që duhet vepruar në mënyrë të shpejtë profesionale dhe ekipore”, tregon ai.

Doktor Thaçi thotë se për të trajtuar një pacient që ka gëlltitur ndonjë objekt të huaj duhet të punojnë bashkë mjeku otorinolaringolog, anesteziologu dhe instrumentistët.

“Intervenimi ORL te trupat e huaj konsiston në atë që quhet bronkoskopi regjide është një lloj instrumenti që hyn në rrugët e frymëmarrjes përmes të cilit lidhet edhe fëmija me makinat e anestezionit dhe në të njëjtën rrugë vepron edhe mjeku edhe anesteziologu, kështu që në këto raste e kemi të vështirë sepse bashkërisht duhet të veprojmë në të njëjtën rrugë. Mundësia që kjo të mos shoqërohet me sukses ekziston sikur në çdo tjetër punë, mirëpo duhet punuar me ekipe  me qëllimin e vetëm për të shpëtuar fëmijët”, rrëfen doktor Thaçi për KALLXO.com.

Doktori tregon rastet më të jashtëzakonshme të cilat i ka trajtuar prej kikirikëve e deri te objektet e mëdha të materialeve të ndryshme.

“Po përmendim një nga rastet e shumta që i kemi pasur unë dhe kolegët e mi dhe Klinika përgjithësisht. Ka qenë një fëmijë me një lodër që e ka aspiruar dhe sa herë që merrte frymë fëmija dëgjoheshin ato fishkëllimat sepse ajri gjatë ekspiracionit hynte nëpër filikaqë sikur ne ta shihnim. Nuk ka qenë shumë e vështirë me nxjerrë, ka qenë diçka inerte jo diçka që bymehet. Pa probleme e kemi tërhequr, sepse mushkëria tjetër ka qenë e lirë, vetë pipi ka pasur një vrimë ku ajri ka hyrë e ka dalë“, ka treguar Thaçi.

Sipas doktor Thaçit kjo nuk u ndodhë vetëm fëmijëve por edhe të rriturve. Ai kujton një rast kur një pacient ka kërkuar ndihmë pasi që ka gëlltitur brushën.

“Te të rriturit meqenëse dimensionet e rrugëve të frymëmarrjes janë më të mëdha edhe urgjenca është më e vogël se te moshat pediatrike. Në përvojën time unë e kam pasur një rast një person që i është hequr laringu do të thotë vrimë në qafë. Ata njerëz udhëzohen me mbajtë higjienën e asaj vrime dhe duke e pastruar i ka rrëshqit brusha dhe i ka shku në mushkëri. Menjëherë pa anestezion ia kemi nxjerrë brushën”, tha doktor Thaçi.

Rekomandimi i doktorit është që prindërit të mos lejojnë fëmijët të kenë kontakt me objektet e rrezikshme.

Por nëse kjo ndodhë ai thotë se ata duhet të veprojnë shpejt duke ia dhënë një ndihmë të parë e pastaj duke e afruar te spitali më i afërt.

“Ajo që rekomandohet është që fëmija të mos jetë në kontakt me këto gjësende. Nëse ndodhë ajo, nëna do të shqetësohet shumë me këtë dramën urgjente ku fëmija do të kollitet shumë do të nxihet nuk do të ketë mundësi të marr ajër dhe për pasojë do të shoqërohet me cianozë. Sugjerohet që fëmija të kthehet me kokë poshtë dhe këmbë lartë dhe të shoqërohet me disa të goditura në shpinë, ky është veprimi i parë që mund ta bëjë nëna. Pastaj të organizohet transporti deri në vendin më të afërt ku mund të ndihmohet”, këshillon doktor Hajdin Thaçi.