Vdes vëllai i Nasim Haradinajt, ende nuk dihet nëse ai do të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Haradinaj ka vdekur të enjten. Agron Haradinaj është vëllai i Nasim Haradinajt,

Nasim Haradinaj sipas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë është duke e vuajtur dënimin me mbi katër vjet burgim.

KALLXO.com ka kontaktuar Dhomat e Specializuara për të marrë përgjigjen në lidhje me mundësinë e një vizite të Haradinajt në Kosovë.

Nga DHSK kanë thënë se nuk ka ndonjë kërkesë apo vendim lidhur me këtë çështje deri më tani.

“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave në paraburgim që të bëjnë kërkesa tek paneli kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendos për kërkesa të tilla. Aktualisht, nuk ka parashtrime publike apo vendime që trajtojnë këtë çështje”- kanë deklaruar nga Zyra për Media e Dhomave të Specializuara.

Zëdhënësja Angela Griep ka bërë të ditur se nëse ka informacione shtesë, DHSK-ja do t’i publikojë ato në faqen e internetit.

“Të gjitha dokumentet publike, përfshirë parashtrimet e paraqitura nga mbrojtja dhe vendimet e marra nga gjykatësit publikohen në faqen e internetit të DHSK-së. Nëse dhe kur ndonjë informacion i mëtejshëm për këtë çështje është i disponueshëm dhe publik, ai do të publikohet në faqen e internetit të DHSK-së” – thuhet në përgjigje.

Sipas njoftimit të familjarëve, Agron Haradinaj do të varroset me 5 mars.

Krerët e OVL-UÇK-së Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj më 18 maj 2022, u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë.

Ata u gjetën fajtor se mes datave 7 dhe 25 shtator 2020, shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike lidhur me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Sjellja e disa dokumenteve të Gjykatës Speciale në zyret e OVL-UÇK-së nga një person ende i panjohur e më pas bërja publike e tyre në konferenca mediatike, është arsyeja e gjykimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Haradinaj dhe Gucati akuzohen se gjatë shtatorit të vitit 2020 bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë duke i quajtur ata ndër të tjera gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.