Shpallen fajtor vëllezërit Llugaliu, në rastin e vrasjes së Fahri Bunjakut

Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka shpallur fajtor dy të akuzuarit Sedat dhe Fejrad Llugaliu, për vrasjen e Fahri Bunjakut.

Të akuzuarin Sedat Llugaliu, trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Kujtim Krasniqi, e shpalli fajtor për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje me Esat Llugaliun ndërsa Fejrad Llugaliu u shpall fajtor për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të armëve.

Për të akuzuarin Esat Llugaliu gjykata kishte veçuar procedurën pasi është konstatuar se ai ka pësuar lëndime të rënda shëndetësore me pasoja të përhershme, në ditën e ngjarjes kritike së këtij rasti.

Gjykata në pajtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës ka shpallur aktgjykim ku: Të akuzuarit Sedat Llugaliut i ka shqiptuar dënim me kohëzgjatje prej 18 vitesh, në të cilin dënim llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 8 shkurt 2016 e tutje. Ndërsa të njëjtin e ka liruar nga akuza për veprën penale të armëmbajtjes, sepse për këtë vepër penale, është shpallur fajtor i akuzuari Fejrad Llugaliu meqë të dy janë akuzuar për të njëjtën armë.

Të akuzuarit Fejrad Lluagliut gjykata i ka shqiptuar dënim me kohëzgjatje prej 3 vite e gjysmë duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim nga data 8 shkurt 2016 deri më datën 30 korrik 2019. Ndërsa është liruar nga akuza për veprën penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje pasi nuk është provuar se i njëjti ka kryer këtë vepër.

Gjykata ka obliguar të akuzuarit që në emër të paushallit, të paguajnë shumën prej 400 eurove, ndërsa të akuzuarin Sedat Llugaliun e ka obliguar që të paguajë edhe shumën prej 50 eurove në emër të kompensimit të viktimave.

Përveç dënimit kryesor, Gjykata ka shqiptuar edhe dënime plotësuese duke konfiskuar përgjithmonë mjetet që kanë ndihmuar kryerjen e veprës penale.

Përndryshe, veturat të cilat u ishin sekuestruar më herët, është vendosur t’ju kthehen atyre pasi aktgjykimi të merr formën e prerë.

Palët e dëmtuara janë udhëzuar që për realizimin e kërkesës pasurore-juridike të vazhdojnë në kontest civil.

Ndërsa kundër këtij aktgjykimi ato kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë në afat prej 15 ditësh nga dita e shpalljes së tij.

Përfaqësuesit ligjor të palës së dëmtuar, në këtë rast të familjes Bunjaku, këtë vendim e kanë quajtur skandaloz dhe e kanë konsideruar të paarsyetuar mjaftueshëm.

Avokati Ahmet Tahiri përfaqësues ligjor i Abdyl Bunjakut, babait të të ndjerit Fahri Bunjaku, ka thënë për Kallxo.com se ky vendim është tërësisht i padrejtë.

“Vendimi i cili është shpallur sot është një vendim skandaloz kjo për faktin se është një vendim identik i cili ka qenë në rastin e parë, pra para se të kthehet në rigjykim, me arsyetime të njëjta dhe do të thotë i paarsyeshëm mjaftueshëm, Gjykata nuk i ka besuar video-incizimeve të nxjerra nga Agjensioni Kosovar i Fornezikës ku shihet qartë personi i cili sot është liruar nga akuza”, tha Tahiri.

Ai tha se pasi të marrin aktgjykimin në formën e shkruar do të shfrytëzojnë të drejtën për ankesë.

Edhe përfaqësuesja ligjore e bashkëshortes së të ndjerit Fahri Bunjaku, avokate Fortesa Mehmeti – Syla tha për KALLXO.com se vendimi është skandaloz dhe se ka pasur shkelje procedurale dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike sikurse në vendimin paraprak të cilin e ka kthyer në rishqyrtim Gjykata e shkallës së dytë.

“Vendimi ishte jo i drejtë, joligjor, për faktin se është marrur një vendim skandaloz mbi bazën se Fejrad Llugaliu është liruar në mungesë të provave, ku dihet qartë mbi të gjitha ato prova që gjenden në shkresat e lëndës, se i njëjti ka qenë bashkëpjesëmarrës në kryerjen e vrasjes së rëndë të të ndjerit Fahri Bunjaku”, tha avokate Mehmeti – Syla.

Ajo tutje shtoi se në momentin e marrjes së aktgjykimit në formën e shkruar, do të ushtrojnë ankesë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun se së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, sepse me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku për shkak të një konflikti të mëparshëm që kishin rreth biznesit – shitblerjes së kafshëve me shumicë, i kanë dalë në pritë dhe kanë shtënë në drejtim të tij.

Sipas aktakuzës, Bunjaku duke tentuar të largohej nga vendi ku i kishin zënë pritë, në vetëmbrojtje plagosi Esat Llugaliun, ndërsa të pandehurit e tjerë Sadat dhe Fejard Llugaliu e ndoqën nga pas duke shtënë në drejtim të tij e pastaj duke e goditur me shkopinj druri. Nga plagët Bunjaku vdiq në QKUK, thuhet në aktakuzën e prokurorisë themelore. Të akuzuarit e këtij rasti nuk e kishin pranuar fajësinë duke u deklaruar të pafajshëm.

Akuza është ngritur më 5 prill 2017, e që nga atëherë janë dëgjuar dëshmitarë dhe ekspert të shumtë.

Gjykata e shkallës së parë më 30 korrik 2019, të akuzuarin Sadat Llugaliu e kishte dënuar me 18 vjet burgim për vrasje të rëndë, ndërsa e kishte shpallur të pafajshëm për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, Fejard Llugaliu ishte dënuar me burgim efektiv prej 3 vjet e gjysmë për armëmbajtje pa leje, kurse ishte liruar në akuzën për vrasje të rëndë.

Palët kishin ushtruar ankesë ndaj aktgjykimit te Gjykatës së shkallës se parë dhe ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Esat Llugaliu, për të cilin është veçuar procedura për shkak se gjatë sulmit ka pësuar lëndime të rënda me pasoja të përhershme.