'Shkëlqimi dhe rënia' e Gjykatës së Prizrenit ndër vite

Gjykata Themelore në Prizren në pesë vite, ka pasur luhatje dhe jo stabilitet në efikasitetin e trajtimit të lëndëve.

Nga gjykata që në vitin 2016 ka treguar efikasitet prej 65% në trajtimin e rasteve civile, në vitin 2020, kjo përqindje kishte pësuar rënie drastike në vetëm 28%.

Një efikasitet më të ekuilibruar kjo gjykatë ka treguar në Divizionin penal, ku në vitin 2016 ka trajtuar 39% të lëndëve në punë ndërsa në vitin 2020 ky efikasitet kishte rënë në 34%.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Një hulumtim në bazën e të dhënave tregon se në periudhën kohore prej pesë vitesh 2016-2020, Gjykata Themelore e Prizrenit marrë në tërësi të gjitha departamentet ka pasur një efikasitet prej 55%.

Efikasiteti në gjykimin e çështjeve civile

Të dhënat e grumbulluara për vitet 2016 – 2020, tregojnë se divizioni civil që parashihet t’i zgjidhë kontestet ndërmjet palëve, ka qenë më i ngarkuari.

Në pesë vite, Divizioni civil i kësaj gjykate ka treguar një efikasitet të përgjithshëm prej 59%.

Në Divizionin Civil, përqindja e efikasiteti ka shkuar duke rënë ndër vite, përjashtimisht vitit 2017 kur kjo Gjykatë ka pasur një efikasitet prej 70%, nga ku më pas fillon një rënie e shpejt e cila gjatë vitit 2020 bijë në vetëm 26%.

Për dallim nga divizioni civil, në divizionin penal efikasiteti nuk është se ka dalluar shumë ndër vite dhe trajektorja e efikasitetit çdo vit ka treguar rritje të lehtë, përjashtim vitit të pandemisë, vitit 2020 kur kishte rënë në 34%.

Mosmarrëveshjet pronësore dhe kontestet martesore prijnë për nga numri i rasteve

Gjykata e Prizrenit, me luhatje në efikasitet të trajtimit të lëndëve, nuk ka arritur t’i përfundojë as gjysmën e kontesteve pronësore të cilat i kishte në punë.

Efikasiteti i përgjithshëm i divizionit civil në gjykimin e rasteve të kontesteve pronësore gjatë vitit 2016 kishte shkuar deri në 47.27% të zgjidhjes së rasteve përderisa në vitin 2017 dhe 2018 ka pasur një rritje të lehtë që e kishte arritur pothuajse mesataren e 50% të zgjidhjes së rasteve që kishte në punë. Zakonisht këto konteste janë më të ngarkuara dhe marrin kohë për të gjatë për tu trajtuar. 

Natyra e lëndëve – Konteste pronësore 

Efikasitet i lartë ishte vërejtur në vitin 2016 në gjykimin e kontesteve të punës, mirëpo nuk kishte zgjatur gjatë pasi dy vite më vonë kishte pësuar ndryshime drastike.

Nëse në vitin 2016, Gjykata Themelore në Prizren kishte zgjidhur 83 % të rasteve në vitet 2017 ka rënie në 74% ndërsa në vitin 2018 efikasiteti ra në 50% të trajtimit të rasteve. 

Gjendja ishte e ngjashmë edhe në degët e Gjykatës së Prizrenit. Dega në Dragash, nga viti në vit ka rritje të trajtimit t këtyre rasteve, ashtu që nga 11% në vititn 2016, në vitin 2017 ka trajtuar 31% të rasteve kurse në 2018, 57%. 

Me rënie dhe ngritje është edhe dega në Suharekë e cila nga 28% efikasitet në 2016, ka ngritje në 84% në 2017, kurse në 2018 përsëri më pak raste të trajtuara gjithsej 24 lëndë apo 50% efikasitet. 

Për dallim nga efikasiteti në çështjet pronësore dhe kontestet e punës, tek gjykimi i rasteve që kanë për objekt kompensimin e dëmit të dhënat nga databaza, tregojnë në këto konteste Gjykata e Prizrenit kishte efikasitet më të lartë. 

Kjo gjykatë në vitin 2018 kishte zgjidhur 99% të rasteve përderisa dy vite më vonë efikasiteti kishte rënë në 43%. Luhatje në efikasitet kishin edhe degët e gjykatës së Prizrenit. Gjykata në Dragash në vitin 2016 kishte trajtuar 91% të rasteve që kishte në punë ndërsa në vitin 2018 ky efikasitet i kishte rënë në 48%. Për dallim nga dega në Dragash, ajo e Suharekës në vitin 2016 kishte efikasitet prej 35% ndërsa në vitin 2018 këtë përqindje e kishte rritur për 3%.

Natyra e lëndëve – Kompensim dëmi 

Luhatje në efikasitet vërehet edhe në zgjidhjen e kontesteve familjare dhe martesore. Edhe në gjykimin e këtyre çështjeve Gjykata në Prizren del të ketë pasur rënie në trajtim të rasteve.

Në vitin 2016 kjo gjykatë kishte zgjidhur mbi 93% të këtyre kontesteve përderisa dy vite më vonë shkalla e efikasitetit kishte rënë në 75%. Rënie pati edhe në degën e Dragashit dhe Suharekës. Gjykata në Dragash vitin 2016 e kishte përfunduar vitin me zgjidhjen e 68% të kontesteve familjare përderisa dy vite më vonë ky efikasitet kishte rënë në 26% Më mirë punët rezultuan në Suharekë pasi dallimi në efikasitetet ndër vite nuk ishte i madh dhe mbeti mbi 60% sa ishte edhe në vitin 2016.

Natyra e lëndëve – Konteste familjare

Këto të dhëna të cilat janë mbledhur për periudhën 2016-2020 tregojnë se Gjykata e Prizrenit e cila gjatë viteve 2016 dhe 2017 ishte njëra nga gjykatat me efikasitetin më të lartë në Kosovë pësoj rënie drastike në efikasitet gjatë viteve 2019 dhe 2020.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin’.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.