SHBA informoi autoritetet e Kosovës, Gjykata e Ferizajt e lë në arrest shtëpiak të dyshuarin për pornografi me fëmijë

Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën në Ferizaj një person nën dyshimin se në rrjete sociale kishte shpërndarë video me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve.

Arrestimi ka ndodhur edhe pasi që autoritetet kosovare ishin njoftuar për këtë rast nga Qendra Kombëtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fëmijët të cilët janë viktima të abuzimit ose të zhdukur (NECMEC USA).

Për të dyshuarin, Prokuroria e Ferizajt kishte kërkuar masën e paraburgimit por Gjykata ka vendosur për masën e arrestit shtëpiak.

Të dyshuarit F.H., Prokuroria ia ka sekuestruar telefonin celular që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale – keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri nga data 7 deri 14 gusht 2023, në vazhdimësi, përmes rrjetit social “Facebook” ka kryer veprën – keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi, në atë mënyrë që ka shpërndarë fotografi lakuriq të të dëmtuarve të mitur, fëmijë nën moshën 14-vjeçare.

Fotografitë dhe videot e viktimave përveç në “Facebook”, i dyshuari i ka publikuar edhe në profilin e tij në “Instagram”.

I dyshuari F.H., sipas dosjes së Prokurorisë, fillimisht më 7 gusht 2023, përmes aplikacionit “Facebook” shpërndan video me përmbajtje abuzive seksuale të një vajze të mitur duke u abuzuar seksualisht nga një person i gjinisë mashkullore i moshës madhore.

I dyshuari, të njëjtin veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, e kishte bërë edhe më 14 gusht, ku përsëri në “Facebook” e kishte shpërndarë një video me përmbajtje abuzive të një fëmije të gjinisë mashkullore duke u abuzuar seksualisht nga një person i rritur.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me publikimin e këtyre fotografive dhe videove i dyshuari ka shpërndarë pornografi për fëmijë, ku të njëjtat janë raportuar nga NECMEC USA apo Qendra Kombëtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fëmijët të cilët janë viktima të abuzimit ose të zhdukur.

Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për të dyshuarin, duke marrë për bazë ligjore peshën e veprës penale, rrezikshmërinë shoqërore të kësaj vepre dhe karakteristikat personale të të dyshuarit.

Avokatja mbrojtëse e të dyshuarit, Yllka Dashi, ka deklaruar për KALLXO.com se konsideron se Gjykata ka vepruar drejt në rastin e të mbrojturit të saj duke refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, dhe duke caktuar arrestin shtëpiak “për arsye se nuk janë plotësuar kushtet nga neni 184 i KPPK-së, dhe besoj fuqishëm në pafajësinë e klientit tim prandaj gjatë tërë ecurisë së procedurës, kërkoj nga Gjykata që i mbrojturi im të mbrohet në liri”.