Prizren, parashkruhet rasti për shmangie nga tatimi

Pas ricilësimit të veprës penale ku personi juridik “Dino’s Las Vegas”, ish-pronari i këtij biznesi Hajridin Gushi dhe ish-menaxheri, Artan Quni, akuzoheshin për shmangie nga tatimi kjo lëndë është parashkruar.

Të lartcekurit akuzoheshin se nga viti 2009-2013 nuk i kanë deklaruar të hyrat nga lojërat e fatit dhe shitja e aparateve dhe importet.

Në seancën e datës 21 korrik 2023, prokurori Atnor Skoro kishte deklaruar se pas administrimit të provave materiale është konstatuar se dëmi që i është shkaktuar ATK-së është 14,638.25 euro , dhe jo siç është përshkruar në dispozitivin e aktakuzës 19,997.00 euro.

Lidhur me këtë, gjykatësja e rastit, Sadije Selmani, ka konsideruar se pas rikualifikimit të veprave penale nga ana e Prokurorisë, meqë kjo vepër është e dënueshme me dënim me gjobë dhe burgim deri në tri vjet, ka arritur parashkrimi absolut i veprës penale dhe atë në vitin 2019.

Gjykata më tej ka ndërprerë çdo veprim dhe është tërhequr për marrjen e aktgjykimit.

Sipas Prokurorisë, personi juridik “Dino’s Las Vegas”, pronari Hajridin Gushi dhe menaxheri i këtij biznesi, Artan Quni, akuzoheshin se nga viti 2009-2013 nuk i kanë deklaruar të hyrat nga lojërat e fatit si importe, po ashtu edhe përmes shitjeve të aparateve të lojërave.

Në këtë rast, sipas Prokurorisë, i janë shmangur tatimit në shumë prej 14,638.25 euro dhe me këtë ATK-së, respektivisht buxehtit të Kosovës, i është shkaktuar dëm në shumën prej 14,638.25 euro.

Me këtë, sipas Prokurorisë, i pandehuri – personi juridik “Dino s Las Vegas” Sh.P.K. ka kryer veprën penale – shmangie nga tatimi, i akuzuari Hajredin Gushi ka kryer veprën penale – shmangie nga tatimi, i akuzuari Artan Quni ka kryer veprën penale – shmangie nga tatimi.

Raportimet e tjera të KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.