Ilustrim

Dyshime se polici vdiq pasi ambulancës iu ndal oksigjeni dhe u prish lifti i spitalit

Polici i Kosovës i cili vdiq nga Coronavirus ishte nisur nga Gjakova për në Prishtinë me një autoambulancë.  KALLXO.com nga burime brenda hetimeve ka kuptuar se polici ishte kthyer nga rruga pasi që autoambulancës i është ndalur oksigjeni.

Të njëjtat burime i kanë thënë KALLXO.com se gjatë transportit në kthim polici kishte qëndruar në lift për shkak të defektit me lift në Spitalin e Gjakovës.

KALLXO.com mëso se këto deklarata janë deponuar në polici nga familjarët ndërsa të njëjtat janë duke u hetuar pas hapjes së hetimeve nga Prokuroria e Gjakovës.

Në një bisedë për KALLXO.com Drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta ka pranuar dyshimet e familjarëve.

“Dyshimet e familjarëve të tani të ndjerit janë që i njëjti kishte pasur probleme me oksigjenin dhe me liftin apo ashensorin, mirëpo këto pritet që t’i zbulojnë hetimet, e deri atëherë nuk kemi çka të themi”- tha Graishta për KALLXO.com

Ai tregoi që bashkë me Prokurorinë janë duke u marrë me rastin.

“Ne veprojmë në dakordim me Prokurorinë, pasi që e njëjta është organ hetues”- tha drejtori Lumni Graishta.

Kryeprokurori i Gjakovës Ali Uka i ka thënë KALLXO.com se janë duke hetuar në disa pista për vdekjen e policit.

“Ende nuk mujm me e dit tamon qysh ka qenë puna sepse rasti është duke u hetuar dhe se tani për tani nuk mujm me fol përderisa hetimet janë në zhvillim e sipër, pra janë aktive dhe të cilat do ta zbardhin të vërtetën” ka thënë  Uka për KALLXO.com.

Polici i Kosovës Ilir Gjokaj vdiq me 16 korrik pasi ishte i infektuar me Coronavirus.

Disa ditë më pas familjarët e policit  kanë hapur rast për trajtim të papërgjegjshëm mjekësor.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe bashkëshorten e tani të ndjerit, mirëpo e njëjta nuk ka pranuar që të flasë për rastin duke thënë se e kanë të ndaluar nga policia të flasin për rastin.

Zyrtari policor i Njësisë së Reagimit të Shpejtë- Ilir Gjokaj kishte vdekur si pasojë e infektimit me Coronavirus.

Ai fillimisht ishte shtrirë në Spitalin e Gjakovës, mirëpo pas përkeqësimit të gjendjes së tij ishte transferuar në Klinikën Infektive në QKUK, ku edhe kishte vdekur.

https://kallxo.com/ligji/policia/policit-te-vdekur-nga-covid-19-i-mohohet-pensioni-prej-80-te-pages-familja-pretendon-se-vdiq-ne-detyre/

Policia e kishte konfirmuar edhe hapjen e hetimeve për “trajtim të papërgjegjshëm mjekësor”.

Në lidhje me këtë rast, gjatë ditës së djeshme, familja e tij është ankuar rreth kategorizimit të vdekjes së tij, ku i mohohet pensioni familjar prej 80% të pagës.

https://kallxo.com/ligji/policia/policit-te-vdekur-nga-covid-19-i-mohohet-pensioni-prej-80-te-pages-familja-pretendon-se-vdiq-ne-detyre/