Foto: KALLXO.com

Pejë, ballafaqohen dëshmitë e ekspertëve të ADN-se në rastin e grabitjes se 223 mijë eurove

Procesi gjyqësor në Gjykatën e Pejës kundër Skifter Beqirajt, i cili akuzohet  për grabitjen e 223 mijë eurove, po i afrohet fundit.

Në seancën e kaluar pas përfundimit të fjalës përfundimtare të palëve, trupi gjykues me kryetar gjykatësin Sylë Lokaj, ka marrë aktvendim për rihapjen e shqyrtimit kryesor lidhur me këtë çështje, me arsyetimin se janë shfaqur dilema lidhur me mendimin e ekspertëve të laboratorit të Forenzikës, e që në shqyrtim nuk është bërë ballafaqimi i ekspertëve për unifikimin e mendimeve për çështjet e ngritura nga mbrojtja.

Sot në Gjykatë janë dëgjuar dy dëshmitarët ekspertë të Laboratorit të Forenzikës, si dhe i dëmtuari-dëshmitari Gazmend Gashi, për të vazhduar nesër me fjalën përfundimtare të palëve në procedurë.

I dëmtuari Gazmend Gashi u pyet nga mbrojtësi i të akuzuarit Skifter Beqiraj, avokati Sali Mekaj, lidhur me evidencën e të hollave që janë këmbyer gjatë ditës kritike. Gashi tha se është mbajtur  evidencë. Ai Gjykatës ia dorëzoi një dorëshkrim që mban datën 26.12.2016 dhe një bilanc të gjendjes të nga datës 1.7.2016 deri me datë 30.9.2016 si dhe pasqyrën e të ardhurave.

Lidhur me evidencën që përpilohet pas orarit të punës, Gashi shtoi se ato i dorëzohen BQK-së dhe atë në formë të raportit mujor dhe tremujor.

Dëshmitarët që kishin kryer detyrën e policit në ditën kritike, Ahmet Lajqi dhe Muhamet Qollakaj, mbetën në tërësi pranë deklaratave të dhëna në shqyrtimin e kaluar.

Dëshminë para trupit gjykues dhanë edhe 2 ekspertë nga Agjencia e Forenzikës, Fatmir Ademi dhe Lutfi Ismajli, lidhur me ekspertizën e ADN-se për rastin konkret, ku sqaruan pretendimet e mbrojtjes për çka edhe kjo çështje është rihapur. Sipas tyre, ekspertiza që ka rezultuar me ADN-në e të akuzuarit në vendin e ngjarjes, është e bazuar dhe e saktë.

Eksperti Fatmir Ademi, i pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Sali Mekaj, lidhur me validitetin e kemikaleve që janë përdorur në kohën kur është bërë ekspertiza për rastin konkret, tha se shumica e kemikaleve blihen nga prodhuesit ndërkombëtarisht të njohur dhe kemikalet i posedojnë certifikatat e validitetit dhe cilësisë nga prodhuesi mirëpo para përdorimit, çdo lloj i ri testohet dhe për këtë mbahen regjistrat.

Avokati Sali Mekaj pyeti ekspertin se në kohën kur është bërë analiza a kanë qenë të kalibruara aparaturat e përdorura për ADN-në dhe a kanë qenë të pajisura me certifikata të kalibrimit.

Eksperti sqaroi se ata mbajnë raport rreth kalibrimeve, përkatësisht ekziston raporti i kompanisë kalibruese, dhe aparatura e kalibrimit edhe nëse u skadon afati nuk mund të ndikojnë në rezultat, nëse instrumentit i ka skaduar kalibrimi dhe vërtetohet se është duke punuar në rregull atëherë rezultati është i besueshëm duke shtuar se me përvojën që e ka nuk e merr kritike kalibrimin me rezultatin, ku një gjë e tillë praktikohet edhe nga auditorët e jashtëm.

Po ashtu, avokati Mekaj pyeti ekspertin lidhur me mostrat për ekspertizë që pranohen, se a janë ato të koduara apo të emëruara për personin përkatës, ku eksperti tha se mostrat standarde e kanë një shifër por mund të pasojë edhe emri e mbiemri, në këtë aspekt nuk ka standard të caktuar, përpos nëse kërkohet më urdhrin e Gjykatës kur behët kërkesa për ekzaminim.

Mekaj e ballafaqoi ekspertin me ekspertizën e punuar nga eksperti Ekrem Ismajli, sipas të cilës, pretendon avokati, është konstatuar që ADN-ja e të akuzuarit është gjetur në vendin e ngjarjes, ku avokati shfaqi dilemat lidhur me faktin se lokusi i 16-të nuk përshtatej me lokuset e tjera.

Eksperti deklaroi se nuk vihet në dyshim mendimi në mungesë të mospërputhjes se një lokusi, ku pas shikimit të ekspertizës sipas mendimit të tij për shkak të sinjalit të dobët fare nuk është përdorur në ekzaminim,  nëse një lokus ka rënë prej vlerës apo sinjalit të dobët atëherë është standard që krahasimi behët me lokuset e mbetura.

Lutfi Ismaili, eksperti që ka punuar ekspertizën e ADN-se, tha para trupit gjykues se për krahasim mjafton të jenë mbi 10 lokuse, ne rastet kur mund të jenë 15 lokuse por lokusi i 16 nuk është paraqitur sepse sasia e ADN ka qenë e vogël dhe ai profil me 14 ose 15 lokuse krahasohet me mostrën standarde të personit të caktuar, dhe aty dihet përputhshmëria ose mospërputhshmëria.

Avokati Sali Mekaj në përfundim të shqyrtimit propozoi që të sigurohen certifikatat për kalibrim të pajisjeve. Po ashtu propozoi që të behët ekspertizë financiare për shumën e të hollave që i dëmtuari propozon që janë marrë natën kritike.

“Meqenëse është fjala për një ekspertizë të ADN që ka kaluar përmes procedurave që janë ndërmarrë me shkelje të standardeve, duke filluar nga hapja e pronës, mungesa e dëshmive për validitetin e kemikaleve, mungesa e certifikatës për kalibrimin e pajisjeve, e bëjnë këtë ekspertim të pasigurt dhe të pabesueshëm për ta vërtetuar faktin qenësor në këtë çështje penale, se a ishte i pandehuri në vendin e ngjarjes pasi që në shkresat e lëndës nuk ka asnjë provë tjetër që e lidh praninë e të pandehurit me vendin e ngjarjes, prandaj është e domosdoshme të sigurohen këto certifikata dhe ky ekspertim të jete valid ose të përjashtohet nga shkresat e lëndës. Po ashtu kërkoj ekspertizë financiare për shumën e të hollave që i dëmtuari propozon që janë marrë natën kritike”, tha Mekaj.

https://kallxo.com/prokuroria-tregon-si-iu-grabiten-pejanit-rreth-230-mije-euro/

Trupi gjykues me kryetar Sylë Lokaj refuzoi propozimet e avokatit Sali Mekaj.

Seanca e radhës mbahet nesër.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, pasi grabitësit, i akuzuari Beqiraj dhe 3 persona te paidentifikuar, e kanë shtrirë përtokë të dëmtuarin Gazmend Gashi, e kishin tërhequr zvarrë viktimën deri në dhomën e pritjes. Më pas ia kishin lidhur gojën dhe duart dhe me anë të goditjeve e kishin detyruar që të tregojë se ku e kishte fshehur çelësin e këmbimores nga e cila më pas ia kishin marrë gjitha paratë.

Njëri nga anëtarët e grupit, me çelësa në dorë kishte shkuar të këmbimorja “Te Gazi”, në Pejë,  dhe kishte arritur t’i marrë paratë në valuta të ndryshme, në vlerë mbi 223 mijë euro.

Aktakuza specifikon se grabitësit arritën t’ia marrin Gazmend Gashit 146,490.00 franga zvicerane, 27,433.00 dollarë amerikanë, 52,090.00 euro, 1,237.23 euro në valuta të ndryshme, mbi 200,000 lekë si dhe ari në vlerë prej 15,000.00 euro.