(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com

Ministria e Drejtësisë për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt: Ndërhyrje eklatante ndaj sistemit të drejtësisë

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka dalë me një reagim lidhur me bllokimin e procesit gjyqësor të vrasjes së Agonis Tetajt.

Kjo pasi sot në seancë gjyqësore avokati i caktuar nga gjykata për të akuzuarin Gogaj, ka hequr dorë nga mbrojtja, pasi sipas tij është paralajmëruar me heqje të licencës.

Sallahu në një reagim të tij e ka konsideruar këtë veprim si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Sot ishim përsëri dëshmitarë të një ndërhyrje eklatante ndaj sistemit të drejtësisë. Interesat e ngushta personale e grupore të cilat po shtyhen përpara, po e pamundësojnë zhvillimin e rregullt e të ligjshëm të seancave gjyqësore”, thuhet në shkrimin e tij.

Sallahu e ka konsideruar se ky rast tregon cenimin e drejtësisë, ku madje ka thënë  palë në këtë proces të kundërligjshëm sipas tij po bëhet edhe OAK, pasi kjo e fundit nuk po e zbaton vendimin e qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës në një nga mbledhjet e saj ka marrë vendim që të ndalohet ekzekutimi i vendimit të OAK për mos caktimin e ndonjë avokati sipas detyrës zyrtare për Shaban Gogaj.

“Me këto veprime, qartazi po shpërfaqet se pjesëtarë të caktuar të udhëheqësisë së Odës, janë të ndikuar…Sistemi gjyqësor nuk mund të jetë peng i tekeve personale të asnjë individi” ka shkruar tutje.

Sallahu tha se Ministria e Drejtësisë i është drejtuar institucioneve përgjegjëse që të trajtojnë, siç e ka vlerësuar ministria presionin e kryetarit dhe disa anëtarëve të kryesisë se OAK-së.

KALLXO.com ka raportuar sot nga kjo seancë gjyqësore.

Në këto kushte seanca e radhës u caktua të mbahet më 20 prill.

Ky proces gjyqësor është duke u përshkruar me zvarritje të shumta të cilat i gjeni në këtë LINK.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.