(Arkiv) Foto: KALLXO.com

Gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e Agonis Tetajt - Prokurori disiplinor i OAK paralajmëron avokatin për heqje të licencës

Në gjykatën e Pejës vazhdon bllokimi i rastit ku Shaban Gogaj po akuzohet për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Sot në seancë u bë e ditur se mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare nga gjykata,  avokati Gani Kelmendi nuk mund të mbrojë Gogajn në këtë rast, pasi kjo e rrezikon atë më humbje të licencës.

 

 

Kelmendi përmes një parashtresë të dërguar gjykatës ka njoftuar se ka pranuar një thirrje nga prokurori dispilninor i OAK-së, Rexhep Veseli, ku ky i fundit e ka paralajmëruar për pasoja deri në heqje të licencës.

“E kam pranuar një thirrje nga prokurori disiplinor i OAK, Rexhep Veseli, ku ai me tërhiqi vërejtjen dhe më paralajmëroj për pasoja deri në heqjen e licencës, po qe se unë do të përfaqësoj në këtë çështjen penale, dhe ma përkujtoj se ekziston një vendim i OAK qe po ju ndalojka avokatëve të prezantojnë në këtë çështje. Andaj pa vullnetin tim heqë dorë nga ky përfaqësim pasi rrezikohem dhe me hiqet e drejta për përfaqësim”, u lexua parashtresa e tij në seancë.

Gjykatës i ka paraqitur edhe dëshmi me thirrje telefonike përkatësisht foto ku dëshmohet thirrja dhe ora.

KALLXO.com i ka siguruar kwto shkresa.

Në anën tjetër në seancë nuk ishte prezent as prokurori i rastit, Isuf Sadiku, i cili nuk e ka pranuar ftesën e gjykatës.

Prezent nuk ishte as e dëmtuara, ish-bashkëshortja e të ndjerit Tetaj, Albesa Cacaj.

Në shkresat e lëndës nuk kishte dëshmi se e njëjta kishte pranuar ftesën.

Në këto kushte seanca e radhës u caktua të mbahet më 20 prill.

Ky proces gjyqësor është duke u përshkruar me zvarritje të shumta të cilat i gjeni në këtë LINK.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.