Foto: Kallxo.com

Mbrojtja e gjyqtarit të pezulluar nga Peja propozon prokuroren për dëshmitare në gjykim

Prokurori në Prishtinë e ka kundërshtuar kërkesën për hedhje të aktakuzës ndaj gjyqtarit të pezulluar të gjykatës së Pejës, Sali Berisha, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit.

Në seancën e sotme është paraqitur, përgjigjja e Prokurorisë Speciale lidhur me kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, ndaj të akuzuarit Sali Berisha.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F. Z., me të cilin kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi që kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i pandehuri ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar ishte vëllai i dëshmitarit F.Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç’rast i pandehuri ka marrë aktgjykimin me të cilin ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg tre vjet, me kusht prej dy vjet për dy vepra penale të kontrabandimit me migrantë.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjykatësin Sali Berisha se deri më 19.09 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjykatësi Sali Berisha, në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak. Berisha është i dyshuar edhe për keqpërdorim të detyrës.

Në një seancë të mbajtur në shtator, Berisha e ka quajtur këtë aktakuzë “të montuar”.

“Aktakuza është e  montuar, ka shumë kundërthënie me vetveten dhe me gjitha pjesët e saj, sepse ajo nuk përmban elemente inkriminuese në diapozitiv,  sepse askund dëshmitari nuk e ka cek që gjyqtari Berisha ka kërkuar para në vlerë prej 6 mijë euro”, kishte thënë ai.

Prokurori i shtetit Dren Paca, tha në seancën e sotme se sa i përket aplikimit të masave të fshehta, është vepruar në tërësi në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi edhe kontrolli i banesës është bërë konform dispozitave ligjore.

Ndërsa për mospranimin e deklaratës së dëshmitarit Florim Zeka, prokurori tha se është intervistuar dy herë.

“Për mospranimin e deklaratës së dëshmitarit Florim Zeka, i kujtojmë se është intervistuar dy herë, e kjo deklaratë është bërë 13 ditë pas nxjerrjes së aktvendimit për fillimin e hetimeve dhe është në harmoni me dispozita ligjore, pasi është marrë pas fillimit të procedurës hetimore”, tha prokurori Paca.

Kurse për mospranimin e provave pasi gjatë kontrollit të banesës, prokurori tha se nuk kanë qenë prezentë i pandehuri dhe avokati.

“Kurse për mospranimin e provave pasi gjatë kontrollit të banesës, nuk ka qenë i pandehuri dhe avokati. Por ka marrë pjesë vetëm Veton Berisha si dëshmitar i privilegjuar, nuk qëndron kjo sepse personat që kërkohen që të jenë të pranishëm edhe kanë qenë të pranishëm, dhe që të dy e kanë nënshkruar procesverbalin për kontrollin e banesës pa vërejtje” tha prokurori Paca.

Mbrojtësi i të akuzuarit Berisha, avokati Gëzim Kollçaku, tha se kanë dhe 3 dëshmitarë në lidhje me pretendimet e dhëna gjatë deklarimit të kinse dëshmitarit Florim Zeka.

Kollçaku, në mesin e dëshmitarëve të propozuar e përmendi edhe emrin e prokurores Valbona Disha-Haxhosaj.

“Kemi 3 dëshmitarë në lidhje me pretendimet e dhëna gjatë deklarimit të kinse dëshmitarit Florim Zeka, dhe këta janë: Sejdi Blakaj, Oran Basha, Milaim Maloku, Valbona Disha-Hagjosaj e cila do të dëgjohet në lidhje me rrethanat ligjore të dënimit të përcaktuar të kinse siç thuhet në aktakuzë dënimin favorizues. E kemi dëshmitaren Time Thaçi, e cila do të dëgjohet në lidhje me paratë e konfiskuara në banesën prej 10,000 euro, në lidhje me pronësinë e këtyre të hollave”, tha avokati Kollçaku.

Ai poashtu shtoi se do të propozojnë edhe Zekije Thaçin, në lidhje me paratë e konfiskuara në banesë.

“Gjithashtu do të propozojmë edhe Zekije Thaçin, në lidhje me paratë e konfiskuara në banesë në shumë 10,000 euro gjatë kontrollit të banesës dhe në lidhje me armën e konfiskuar e cila do të deklarohet në lidhje me pronësinë dhe posedimin e kësaj arme”, shtoi avokati Kollçaku.

Gjykata pritet të marrë vendim lidhur me këto kërkesa të mbrojtjes.