E akuzuara e pranon se i mori 400 euro mito për rregullimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale në kohën e luftës

Gjykata e Prishtinës, në krye me gjykatësin Vesel Ismaili, ka udhëheur procesin penal ndaj F. C. për veprën penale marrje ryshfeti.

F. C., po akuzohet se ka marrë ryshfet shumën prej 400 euro, për rregullimin e dokumentacionit për statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë kohës së luftës në Kosovë.

E njëjta pasi ka pranuar fajësinë, është shpallur fajtore nga gjykatësi Vesel Ismaili dhe është dënuar me burgim me kusht prej 6 muajve dhe dënim me gjobë prej 400 eurove të cilat nuk do t’i paguajë nëse brenda 1 viti nuk kryen vepër penale.

Sipas aktakuzës vepra penale rezulton të jetë kryer më 4 prill 2019, në në ora 14:20, në lokalin “D.”, e cila gjendet në oborrin e QKUK-së në Prishtinë.

Sipas prokurorisë  e pandehura F. C., në cilësinë e personit zyrtar si L. në Klinikën e Forenzikës Psikatrike, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga e dëmtuara M.G. me qëllim të rregullimit të dokumentacionit mjekësor që të aplikoj për statusin si viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës.

Sipas aktakuzës pasi  e pandehura dhe e dëmtuara takohen në kafeterinë “D.”  nën masat e Simulimit të veprës penale Korrupsionit, e pandehura merr nga e dëmtuara shumën e të hollave prej 400 euro, me qëllim të rregullimit të dokumentacionit mjekësor dhe menjëherë pas pak është ndaluar e pandehura nga zyrtarët policor dhe të njëjtat të holla janë gjetur në xhepin e saj.

Gjykatësi Veseli, për shqiptimin e këtij dënimi kishte marrë parasysh si rrethana lehtësuese pendimin e saj të thellë, gjendjen shëndetësore, gjendjen e rëndë ekonomike, sinqeritetin e saj gjatë procedurës penale, më parë nuk ka qenë e dënuar dhe ndaj saj nuk është duke u zhvilluar procedurë tjetër penale dhe rrethanë posaçërisht lehtësuese mori pranimin e fajësisë.

Ndërsa rrethanë rënduese gjeti vetëm një, peshën e rëndë të veprës penale.

Gjykatësi Ismaili, vetëm ka përmendur rrethanat lehtësuese dhe rrethanën rënduese, por asnjërën nuk e elaboruar dhe vërtetuar me prova materiale.

Ndërsa sa i përket rrethanës rënduese pesha e rëndë e veprës penale, gjyqtari në fjalë nuk ka arsyetuar pasojën e kësaj vepre penale që do t’i bëhej buxhetit të shtetit.

Lidhur me qëllimin e dënimit gjyqtari ka cekur në aktgjykim se me shqiptimin e dënimit me kusht ka vlerësuar se do të arrihet qëllimi i dënimit por nuk ka cekur se cili nga qëllimet e dënimit do të arrihet a do të parandalohet kyerësi që në të ardhmen të kryejë vepër penale, a do të parandalohen personat e tjerë nga kryerja e veprës penale, a do të bëhet kompensimi dhe a do të ngritët vetëdija shoqërore për të mos kryer vepra penale.

Tutje sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për veprën penale marrje ryshfeti parashihet dënimi me burgim prej 6 muajve deri në 5 vjet dhe dënim me gjobë.

Neni  428 par.1 thotë se  “Personi zyrtar i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, kërkon ose pranon ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër për vete apo personin tjetër, ose që pranon ofertën apo premtimin për dhuratë apo përfitim të tillë, në mënyrë që personi zyrtar të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”.

Zbatimi i Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore në këtë proces penal.

Për këtë proces penal përkatësisht, për veprën penale marrje ryshfeti për ët cilën parashihet dënim me burgim prej 6 muajsh deri në 5 vjet,  sipas pikës (h) të shtojcës së dytë të Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore  është i aplikueshëm dënimi me kusht, por  pikënisje për matjen e dënimit është 2 vite e 6 muaj.

Në po të njëjtën pikë të Udhëzuesit, parashihet se për rastin ka më shumë rrethana lehtësuese sesa rënduese  atëherë mund të shqiptohet dënimi 1 vjet e 6 muaj burgim.

Tutje Gjykata, ndonëse të akuzuarën F. C. e ka shpallur fajtore për veprën penale marrje ryshfeti të njëjtës nuk i ka shqiptuar dënimin plotësues ndalimin e ushtrimit të profesionit.