
Shpallja e aktgjykimit ndaj ish kryetares së Gjykatës së Deçanit Safete Tolaj - 24.12.2019
Gjykata vendos për ish-gjykatësen e Deçanit Safete Tolaj dhe djalin e saj Fisnik Tolaj
Ish-kryetarja e Gjykatës së Deçanit, Safete Tolaj është shpallur për të dytën herë e pafajshme në akuzat e prokurorisë për keqpërdorin të detyrës zyrtare dhe fshehje të materialit arkivor.
Djalin e saj Fisnik Tolaj, trupi gjykues i udhëhequr nga kryetari Ibrahim Idrizi dhe anëtarët Mustafë Tahiri dhe Kadrije Goga- Lubishtani, e ka dënuar me katër vite burgim për veprat penale ushtrim i ndikimit në vazhdim dhe falsifikim i dokumenteve, poashtu në vazhdim.
Ndërsa për njërën pikë të akuzës sa i përket vëllezërve Hoxha për ndryshim të masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë, Fisnik Tolaj është liruar nga akuza pasi që nuk pati prova për të vërtetuar fajësinë e tij.
Gjykata e ka liruar nga akuzat e prokurorisë për ushtrim ndikimi edhe policin e akuzuar në këtë rast, Granit Shehaj.
E sa i përket kërkesës së prokurorit për konfiskim të shumës prej 630 euro dhe banesës, gjykata vendos që të konfiskohet shuma prej 630 euro, ndërsa për banesën e Blerina Vishaj, gjykata e refuzoi propozimin e prokurorit për konfiskim.
Hulumtimet e emisionit “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se si gjyqtarja Safete Tolaj dhe djali i saj, Fisniku, kishin kërkuar para nga palët për përshpejtim të lëndëve gjyqësore dhe për vendosje të lëndëve e për ndërrim të masës së sigurisë.
Kujtojmë se Gjykata e Ferizajt më 13 korrik 2018 e kishte liruar ish-gjykatësen Tolaj nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor, derisa të pafajshëm e kishte shpallur edhe zyrtarin policor, Granit Shehaj, që po ashtu akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ndërsa, kjo Gjykatë e kishte dënuar Fisnik Tolajn me dënim unik prej katër vjet e gjashtë muaj burgim.
Lirohet ish-gjyqtarja Safete Tolaj, dënohet djali i saj Fisniku
Lidhur me këtë vendim të Gjykatës së shkallës së parë, Prokuroria ka paraqitur ankesë në Apel duke kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim duke konsideruar se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit Fisnik Tolaj nuk ishte i lartë.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
.