Foto: KALLXO.com
Procesi gjyqësor ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqit, dhe të tjerëve, për herë të dytë në Gjykatën e Apelit
Në Gjykatën e Apelit më 05.11.2024 është mbajtur seanca për shqyrtimin e ankesave në rastin ndaj Lavdim Krasniqit, Marigona Berishës dhe Flora Dodës.
Krasniqi, Berisha dhe Doda akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe mosraportim të pasurisë.
Në seancën e sotme të mbajtur në Gjykatën e Apelit nga Prokuroria e Apelit askush nuk ishte prezent mirëpo gjyqtari Hashim Çollaku bëri të ditur se Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte paraqitur ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe për shkak të vendimit lidhur me sanksionet penale, konfiskimit dhe kërkesës pasurore juridike.
Prokuroria e Apelit kishte propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore të Prishtinës të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i shkallës së parë i Gjykatës Themelore të Prishtinës të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje.
Po ashtu, gjyqtari Hashim Çollaku bëri të ditur se përgjigje në ankesë të Prokurorisë kishte nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Lavdim Krasniqi, avokatit Ramë Gashi, nga mbrojtësi i të akuzuarës Marigona Berisha, avokati Fatlum Podvorica dhe nga ana e avokatit Arlind Jupolli, i cili është mbrojtësi i Flora Dodës, të cilët kishin kërkuar që ankesa e Prokurorisë të refuzohet si e pabazuar dhe aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet.
Gjyqtari referues Hashim Çollaku bëri të ditur se në këtë çështje penale kemi të bëjmë me ankesën e Prokurorisë, dhe ankesën e avokatit Fatlum Podvorica, i cili është mbrojtësi i të akuzuarës Marigona Berisha, për pjesën nga e cila u shpall fajtore e mbrojtura e tij.
Lidhur me ankesën e Prokurorisë u deklaruan edhe avokatët e të akuzuarve gjatë seancës së sotme ndërsa të akuzuarit i mbështeten fjalët e tyre.
“Ankesa e prokurorit të shtetit është përshkrim i aktakuzës, asgjë më shumë. Ju propozoj që ankesën e prokurorit ta refuzoni për të mbrojturin tim Lavdim Krasniqi dhe aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ta vërtetoni” – tha avokati Ramë Gashi.
“Mbesim në tërësi pranë ankesës të cilën e kemi parashtruar dhe i propozojmë Gjykatës të njëjtën ta aprovojë si të bazuar” – tha avokati Fatlum Podvorica, i cili është mbrojtësi i të akuzuarës Marigona Berisha.
Po ashtu edhe avokati Arlind Jupolli, i cili është mbrojtësi i të akuzuarës Flora Doda, propozoi që ankesa e Prokurorisë të refuzohet dhe e mbrojtura e tij të lirohet nga akuza.
Kjo çështje po trajtohet nga kolegji në përbërje të gjyqtarëve Kadrije Goga-Lubishtani (kryetare e trupit gjykues), Hashim Çollaku (gjyqtar referues), dhe gjyqtarja Kimete Kicaj.
Nga gjykata e shkallës së parë Lavdim Krasniqi ishte liruar nga akuzat e Prokurorisë për ushtrim ndikimi në bashkëkryerje, mosraportim të pasurisë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
E akuzuara Marigona Berisha ishte gjetur fajtore në akuzën lidhur me veprën – falsifikim i dokumentit dhe është dënuar me 3,000 euro gjobë. Ndërsa ishte liruar nga akuza për veprën penale – blerja ose pranimi i sendeve të përfituara nga vepra penale.
Aktgjykim lirues ka pasur edhe ndaj të akuzuarës Flora Doda, e akuzuar për veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Lirimin nga akuzat gjatë shpalljes së aktgjykimit kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, e kishte arsyetuar me faktin se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar.
Aktgjykimi ishte marrë nga trupi gjykues në përbërje të gjyqtarëve Alban Ajvazi – kryetar, Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi, anëtarë.
Lidhur me akuzat edhe në rigjykim Lavdim Krasniqi, Flora Doda dhe Marigona Berisha janë deklaruar të pafajshëm.
Ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, Marigona Berisha dhe Ardian Krasniqi nga Gjykata Themelore për herë të parë ishin gjetur fajtorë për veprat që rëndonin mbi ta. Kurse Flora Doda ishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Aktgjykimi dënues herën e parë ishte marrë më 09.03.2023.
KALLXO.com kishte raportuar që nga fillimi i këtij rasti, i cili filloi në mars të vitit 2021,
Lavdim Krasniqi, që atëherë mbante postin e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Marigona Berisha u shoqëruan për në stacionin policor nën dyshimet se janë përfshirë në afera korruptive.
Ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, akuzohet se bashkë me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga B.M., duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi kanë kryer veprën penale – ushtrimi i ndikimit.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A.M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të drejtorit të SKPK-së, duke konsumuar veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Sipas Prokurorisë, këtë veprim e kishin marrë duke përdorur logon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më ç’rast kishin kaluar në territorin e Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në aktakuzë thuhet se ai së bashku me zyrtaren Flora Doda kishin porositur dhe pranuar mobile në vlerë 9,480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.
Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Lavdim Krasniqi ka kryer veprën penale – mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.
Sipas Prokurorisë, ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.
Ndërsa shoferi i tij, Ardian Krasniqi, akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi sipas Prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit për COVID-19 për B. M. me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.
Akuza rëndojnë edhe ndaj asistentes së Krasniqit, Marigona Berisha.
Sipas Prokurorisë, ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara, pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të B.M. me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8,400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj.
Deri te zbulimi i kësaj vepre, Prokuroria pretendimin për falsifikim e mbështet edhe në ekspertizën e Agjencisë Kosovare për Forenzikë, e cila ka konstatuar se nënshkrimi i B.M. në atë dokument nuk ishte i tij.
Përpos kësaj, Marigona Berisha akuzohet me pretekstin se kishte pranuar pasurinë duke qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, përkatësisht veturën e tipit “VW T-Roc”, në vlerë prej 25 mijë euro.
Raportimet e Kallxo.com për këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.