Rasti 'Brezovica' - Ilustrim

Gjykimi për rastin “Brezovica”, çfarë thanë avokatët e të pandehurve në fjalën hyrëse?

Gjykimi ndaj grupit të të akuzuarve në rastin e njohur si “Brezovica” më 05.11.2024 ka vazhduar me paraqitjen e fjalës hyrëse.

Në lidhje me rastin “Brezovica” Prokuroria e Ferizajt pretendon se janë keqpërdorur pozitat, ka pasur ushtrim ndikimi, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në këtë zonë.

Në këtë rast të akuzuar janë Bratisllav Nikoliq, Dimitrije Raçiçeviq, Dragomir Millosavleviq, Hysni Bajrami, Sasha Millosavleviq, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Husein Ajdini, Sasha Spasiq dhe Jardan Kostiq.

Më 05.11.2024 në Gjykatën e Pejës ka përfunduar dhënia e fjalës hyrëse nga mbrojtësit dhe të akuzuarit, pasi më 04.11.2024 Prokuroria dhe disa nga mbrojtësit dhe të akuzuarit kishin paraqitur fjalët e tyre hyrëse.

Avokati Flamur Kelmendi, i cili përfaqëson të akuzuarin Raif Bajrami, ka thënë se Prokuroria pretendimet e saj i mbështet vetëm në pozitën që Bajrami kishte në kohën për të cilën akuzohet – shef i sektorit të planifikimit dhe urbanizmit në Komunën e Shtërpcës.

“Organi i akuzës pretendimet e veta i mbështet vetëm në pozitën të cilën e ka mbajtur Raif Bajrami – si shef sektori për planifikim dhe urbanizëm – Komuna e Shtërpcës”- tha Kelmendi.

Tutje sipas Kelmendit, dëshmitarët të cilëve Prokuroria ua ka falur besimin janë vetëm për t’ia bërë “hatrin” Prokurorisë dhe që të ketë përfitime për vete nga ato deklarata.

“Sa u përket deklaratave të dëshmitarëve në të cilat Prokuroria i mbështet vendimet e veta, të njëjtat më shumë janë me ia bo hatrin Prokurorisë dhe me përfitu në kuadër të atij deklarimi”- vazhdoi tutje Kelmendi.

Avokati tutje tha se do të vërtetohet se asnjë veprim i të mbrojturit të tij nuk përmban vepër penale.

Fjalën hyrëse e ka dhënë edhe avokati Fanol Krasniqi, i cili përfaqëson të akuzuarin Sasha Spasiq, i cili tha se kishte pasur më shumë pritshmëri për fjalën hyrëse të Prokurorisë.

Avokati Fanol Krasniqi kishte vërejtje për dëshmitarin bashkëpunues, duke thënë që i njëjti është munduar të përfitojë materialisht në vlera milionëshe.

“I gjithë ky proces ka filluar dhe vazhdohet mbi bazën e një dëshmitari bashkëpunues i cili është përpjekur në çdo mënyrë të përfitojë materialisht dhe atë të paktën 5 milionë euro të cilat edhe ashtu i ka humbur në punën e pandershme”- tha avokati Krasniqi.

Krasniqi tha se për herë të parë në profesionin e tij do të merret me veprimet e dëshmitarit bashkëpunues e jo me veprimet e të mbrojturit të tij për pretendimet që i ka Prokuroria.

Fjalën hyrëse e kanë dhënë edhe avokati Shkelzen Sopjani, i cili mbron të akuzuarin Husein Ajdini,  avokati Blerim Prestreshi, i cili mbron të akuzuarin Jadran Kostiq dhe Besnik Berisha, i cili mbron të akuzuarin Arben Çitaku.

Të akuzuarit në këtë rast Mustafë Hysenit i është aprovuar marrëveshja për pranim fajësie më 04.11.2024 dhe i njëjti është shpallur dëshmitar bashkëpunues për raste të tjera.

Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq nga 21 janari 2016 e deri më 10 shtator 2018 ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe i ka mundësuar një investitori marrjen e lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 200 mijë euro për 19 leje ndërtimore, për një shtëpi vikendi dhe një pëlqim rrugor dhe 100 miijë euro për lejen ndërtimore për objektin e hotelerisë “Rimida”.

Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës akuzohet edhe në disa dispozitiva të tjerë të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në pikën dytë të aktakuzës i njëjti akuzohet se nga 30 janari i vitit 2015 e deri më 27 maj 2019 përsëri sipas Prokurorisë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të pasurisë për vete duke i mundësuar një personi tjetër përfitimin e lejes ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 140 mijë euro për 14 leje ndërtimore dhe për shtëpi vikendi.

60 mijë euro të tjera akuzohet nga Prokuroria se i ka marrë ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës për lëshimin e 5 lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për ndërtmin e shtëpive të vikendit. Këto objekte ishin ndërtuar në zonën e tretë të mbrojtur të Parkut “Sharri”.

Në pikën katër të aktakuzës thuhet se nga 23 nëntor 2018 deri më 6 gusht 2019 ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës kishte marrë 40 mijë euro për lëshimin e 6 lejeve ndërtimore për shtëpi vikendi.

Aktakuza kësisoj vazhdon për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ish-kryetarin e Komunës së Shtërrpcës edhe në pikën 5, 6, 7, 8, 9.

Në po këtë aktakuzë Bratisllav Nikoliq akuzohet edhe për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi.

Në këtë aktakuzë të përfshirë janë edhe Dimitrije Reqiçeviq – si drejtor i Urbanizimit, inspektorët komunalë të ndërtimit Hysni Bajrami dhe Dragomir Millosavleviq dhe Arben  Çitaku si ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Mustafë Hyseni si shef i Departamentit për Mbrojte dhe Mjedis të Ujërave, Husen Ajdini si investitor, Raif Bajrami si shef i Inspeksionit të Shtërrpcës dhe të akuzuarit Sasha Spasiq, Bedri Halimi i akuzuar në cilësinë e kryeinspektorit, Sasha Millosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrës.

Të lartcekurit akuzohen për vepra penale si marrje ryshfeti, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe për vepra si armëmbajtje pa leje.

17.09.2023 prokurori që po përfaqëson këtë rast, Rasim Maloku, kishte ndarë detaje ekskluzive për KALLXO.com lidhur me hetimin e këtij rasti.

www.kallxo.com