Fisnik Tolaj ndihet keq se e solli nënën në gjykatë

Djali i ish-gjyqtares Safet Tolaj tha se ndihet keq se veprat e tij e kanë sjellë edhe nënën e tij në gjykatë.

Safete Tolaj po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndërsa Fisnik Tolaj për ushtrim të ndikimit dhe falsifikim të dokumenteve.

Ndërsa polici Granit Shehaj po  akuzohet po ashtu për ushtrim ndikimi.

Sot është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast ku Fisnik Tolaj i kërkoi falje të dëmtuarve edhe pse ata nuk ishin të pranishëm në këtë gjykim. Ai tha se ndihet keq edhe për nënën e tij.

‘’Ndjej keqardhje nga familja ime e posaçërisht nga nëna ime për faktin se për veprimet e mia e njëjta është ballafaquar me këtë procedurë’’, tha Tolaj.

Ish- gjykatësja Safete Tolaj, tha se beson që është argumentuar pafajësia e saj.

‘’Unë kam punuar një kohë të gjatë si gjyqtare dhe asnjëherë nuk kam rënë ndesh me detyrën zyrtare si dhe më vjen keq që gjendem në këtë situatë si e akuzuar por besoj se pafajsia ime është argumentuar’’, tha ajo.

Prokurori i rastit Rasim Maloku kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarit Fisnik Tolaj, Safete Tolaj dhe Granit Shehaj të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Ai kërkoi gjithashtu që të konfiskohen shuma prej 630 euro nga Fisnik Tolaj që janë gjetur në shtëpinë e tij dhe sipas prokurorit janë rezultat i veprës penale.

Prokurori kërkoi edhe  konfiskimin e banesës e cila është në emër të bashkëshortes së Fisnik Tolajt, Blerina Vishaj e që sipas prokurorit bazuar në prova ajo banesë është përfituar nga vepra penale.

Edhe avokatët mbrojtës Gëzim Kollqaku , Kujtim Kërveshi dhe Flamur Malokaj i dorëzuan fjalët përfundimtare me shkrim,

Hulumtimet e emisionit “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se si gjyqtarja Safete Tolaj dhe djali i saj, Fisniku, kanë kërkuar para nga palët për përshpejtim të lëndëve gjyqësore dhe për vendosje të lëndëve e për ndërrim të masës së sigurisë.

Kujtojmë se Gjykata e Ferizajt më 13 korrik 2018 e kishte liruar ish-gjykatësen Tolaj nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor, derisa të pafajshëm e kishte shpallur edhe zyrtarin policor, Granit Shehaj, që po ashtu akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndërsa, kjo Gjykatë e kishte dënuar Fisnik Tolajn me dënim unik prej katër vjet e gjashtë muaj burgim.

Lidhur me këtë vendim të Gjykatës së shkallës së parë, Prokuroria ka paraqitur ankesë në Apel duke kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim duke konsideruar se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit Fisnik Tolaj nuk ishte i lartë.

Pastaj Gjykata e Apelit vendosi që lëndën ta kthejë në rigjykim.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet nesër në orën 14:00