ZPS kërkon zgjatjen e afatit për nxjerrjen e materialeve, mbrojtja e krerëve të UÇK-së e quajnë kërkesë shokuese
Zyra e Prokurorit të Specializuar, në seancën ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte, ka kërkuar shtyrjen e afatit për nxjerrjen e materialeve. Kjo kërkesë, nga mbrojtësit e të akuzuarave, është konsideruar shokuese dhe stërzgjatje e procesit.
Në këtë seancë gjyqësore po flitet për nxjerrjen e materialeve provues, shfajësuese dhe materialin e mbrojtur.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në këtë seancë kërkoi shtyrjen e afatit për nxjerrjen e materialeve deri më 31 janar 2022.
Që prej konferencës së fundit, janë nxjerrë 3 paketa me dëshmi, tha prokurorja e specializuar.
Prokurorja Klara Lorson tha se ZPS-ja nuk parashikon nxjerrjen e ndonjë pakete tjetër të materialeve apo kërkesa për masa mbrojtëse për këto materiale.
“Provën materiale të një eksperti ndërkombëtar për të cilin ende s’kemi marrë pëlqimin, deklaratat e dy dëshmitarëve të dhëna para një institucioni të tretë dhe se fundi po presim marrjen e versionit të paredaktuar me këta dëshmitarë”, tha ajo.
Prokurorja e Specializuar gjithashtu tha se kanë caktuar si prioritet përkthimin e dokumenteve, 4 paketa përkthimesh me 1,669 dokumente, tashmë janë përkthyer, shtoi ajo.
“Por këto dokumente të përkthyera, duhet të redaktohen dhe për këtë na duhet kohë”, tha Lorson.
Po zgjatja e këtij afati nuk u prit mirë nga mbrojtësit e të akuzuarve të cilët shprehën shqetësimin lidhur me paraburgimin e të klientëve të tyre. Mbrojtësi i Thaçit avokati Gregory Kehoe, deklaroi se “është shokues pozicioni i ZPS, për të kërkuar zgjatjen e afatit derisa e klientët janë në paraburgim”.
Kehoe tha se në proces janë paralajmëruar 327 dëshmitarë në listë dhe 122 dëshmitarë pa identifikim, që e bën procesin potencialisht shumë të gjatë
“Sa do të zgjasë e tërë kjo punë?”, pyeti ai.
Ndërsa mbrojtësi i Kadri Veselit, avokati Ben Emersson deklaroi se “deri sa katër burra po dergjen në burg, prokuroria po kërkon zgjatjen e afatit për dorëzimin e materialeve”.
Mbrojta kishte akuza të forta për prokurorinë lidhur me vonesat në nxjerrjen e dokumenteve. Mbrojtja, tha se prokuroria duhet të tregohet më efeciente, “përndryshe i gjithë ky institucion është një turp i madh“.
Mbrojta e akuzon prokurorinë se po gënjen kur thotë që është gati me hapjen e dokumenteve.
Mbrojtja e Veselit ishte me e ashpra, duke e lidhur tërë investigimin e raportin e Dick Martit, duke i quajtur akuzat absurde dhe duke e vënë në pikëpyetje të gjithë bazën për themelimin e Gjykatës.
Ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të akuzuar për krime lufte, sot nisi konferenca e tetë përgatitore, ndërsa ata seancën gjyqësore po e ndjekin përmes video konferencës.