Ilustrim

Dosja për kosovaren që ‘paguhej 200 dollarë’ nga ISIS

Nëntë muaj pasi u kthye në Kosovë nga kampet e Sirisë bashkë me mbi 100 kosovarë të tjerë, Qëndresa Sfishta është duke u përballur me gjykatën rreth aktiviteteve të saj në frontin e luftës në Lindje të Mesme.

Prokuroria Speciale po e akuzon atë se në vitin 2015, bashkë me burrin e saj, Artan Arapi, kishin lëshuar territorin e Kosovës në drejtim të Shkupit përmes pikës kufitare në Han të Elezit. Nga Shkupi ata ishin nisur me aeroplan drejt Turqisë për të mbërritur më pas në destinacionin e tyre, Siri, me qëllim që t’i bashkoheshin organizatës terroriste ISIS.

Aktyyakuza thotë se duke iu bashkangjitur ISIS-it, qëllimi tyre ka qenë që ta detyrojnë qeverinë e Sirisë dhe qeveritë e shteteve të tjera që të krijojnë një ‘shtet islamik’.

Prokuroria pretendon se Qëndresa Sfishta duke marrë shumën e rregullt mujore prej 200 dollarë amerikanë, i kishte ofruar shërbime logjistike burrit të saj i cili “aktivisht kishte marrë pjesë në luftërat e ISIS-it”.

Sipas Prokurorisë, ata vazhdimisht kishin ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të kontrolluar nga ISIS duke kaluar nga Siria në Irak dhe anasjelltas derisa ISIS kishte pësuar disfatën e plotë në pranverë të vitit të kaluar.

Ky zhvillim i kishte detyruar ata që të dorëzohen te forcat kurde të cilët pastaj me ndihmën e ushtrisë amerikane i kishin deportuar në Kosovë prill të vitit 2019.

Por Sfishta nuk u paraqit të mërkurën në gjykatën e Prishtinës ku ishte caktuar të mbahej seanca gjyqësore ndaj saj.

Në këtë seancë, ajo pritej të deklarohej rreth akuzave me të cilat e ngarkon Prokuroria Speciale e Kosovës.

Shkak për shtyrjen e seancës ishte mungesa e të akuzuarës për të cilën gjykata nuk ka prova se ishte ftuar me rregull.

Seanca e radhës u caktua për datën 9 janar.