Analisti kreditor akuzohet për keqpërdorim detyre

Dje në Gjykatën e Prishtinës dështoi të mbahej seanca ndaj analistit kreditor rural, Ilir Imerit.

Sipas prokurorisë, Imeri  duke qenë në cilësinë e analistit në Institucion Mikrofinanciar të Kreditimit Rural të Kosovës ka vepruar në kundërshtim me ligjin e Bankës Qëndrore.

Kjo, pasi sipas aktakuzës gjatë muajve qershor-tetor të vitit 2018 në mënyrë të kundërligjshme kishte nxjerrë jashtë zyrës marrëveshjen e kolateralit hipotekar duke iu mundësuar marrja e kredisë pesë personave.

E me këtë rast, gjithnjë sipas aktakuzës, Institucionit Mikrofinanciar Rural të Kosovës i ishte shkaktuar dëm në lartësi prej 13 mijë e 700 euro.

Sot ishte paraparë  të dëgjoheshin dëshmitarët Zyrafete Tasholli dhe Agon Gashi.

Mirëpo, për shkak të mungesës së prokurores së shtetit, Dulina Hamiti, e cila gjendej në pushim vjetor dështoi të mbahej seanca e sotme.

Ndërsa të pranishëm ishin i akuzuari Ilir Imeri, avokati i tij Destan Rrukiqi, avokati i të dëmatuarit Taulant Hodaj.

Pasi kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj Mekaj, konstatoi se nuk u përmbushën kushtet ligjore për mbajtjen e këtij shqyrtimi, seanca e rradhës u caktua për datën 15 tetor.