Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski në vetëizolim, kanë pasur kontakt me gazetar me COVID-19

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe në konferencë të jashtëzakonshme për shtyp lajmëroi se dy liderët e partive maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski nga sot janë në vetizolim të detyrueshëm, njofton Portalb.mk.

“Liderët e dy partive më të mëdha në vend, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski nga sot janë në izolim shtëpiak të detyrueshëm pas informacioneve që i mori ministria e Shëndetësisë se një gazetar me COVID-19 gjatë javës së kaluar ka realizuar intervista televizive me të dy liderët.” tha Filipçe.

Pas kësaj, janë testuar të dy liderët, rezultati i Mickoskit ka dalë negativ, por ai do të mbetet në vet-izolim të detyrueshëm për 14 ditë.

“Rezultati i Zoran Zaevit pritet të del gjatë ditës së sotme. Por ai pas marrjes së informatës është vendosur në karantinë shtëpiake në Strumicë”, tha Filipçe.

Gazetari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po mjekohet në Spitalin “8 Shtatori”. Gjatë mëngjesit do të bëhen anketa epidemiologjike me numrin e saktë të personave që do të shkojnë në vetëizolim.

Përndryshe, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dje informoi se janë regjistruar 46 raste të reja të të infektuarve me virusin korona. Me këtë numri i përgjithshëm i të infektuarve në RMV është 663 persona.