ZKA: KRM “Uniteti” s’e ka përdorur sistemin elektronik të prokurimit në menaxhimin e disa kontratave

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka gjetur se Kompania Regjionale e Mbeturinave “Uniteti”, nuk e ka përdorur sistemin elektronik të prokurimit për menaxhimin e disa prej kontratave të nënshkruara me operatorë ekonomikë privat.

Në raportin e auditimit për vitin 2023 për këtë ndërmarrje, ZKA ka shkruar se “Uniteti” ka mangësi në përdorimin e modulit të prokurimit, pasi “nuk ka vendosur raportin e vlerësimit në e-prokurim; nuk ka emëruar mbikëqyrës të menaxherit të kontratës; nuk ka pasur zhvillim të planit për menaxhimin e kontratës për modulit; si dhe nuk ka pasur vlerësim të performancës së kontratës në e-prokurim”.

“Kjo kishte ndodhur për shkak se stafi i kompanisë ishte i pa trajnuar dhe kompania nuk ka pasur njohuritë e duhura për zbatimin e sistemit në menaxhimin e kontratave dhe vlerësimin e performancës së kontraktuesëve” – thuhet në raport.

Mangësitë e lartcekura janë gjetur në kontratat: furnizim me dy ‘kamionë kompaktor’ në vlerë 71,800 euro; furnizim me vajra motorike dhe lubrifikant për makineri të rëndë në vlerë 117,336 euro; furnizim me pajisje të teknologjisë informative në vlerë 16,780 euro; mbulim i deponisë në vlerë 50,100 euro; furnizim me mjete të punës në vlerë 34,197 euro; dhe furnizim me pjesë rezervë për automjete në vlerë 104,512.

Po ashtu, ZKA ka raportuar se është vërejtur se zyra e prokurimit e “Unitetit” në platformën e prokurimit nuk e publikon kontratën në tërësi, siç janë kushtet e përgjithshme, kushtet e veçanta, specifikacioni teknik, apo formulari i çmimeve.

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Uniteti” është pajtuar me këtë të gjetur të ZKA-së.

Raportin e Auditimit të plotë mund ta gjeni KËTU.