Zjarri në IML, Prokuroria interviston zyrtarët kujdestarë
Prokuroria Prishtinës ka njoftuar se lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë të shtunën, janë intervistuar zyrtarë të IML-së, të cilët kanë qenë kujdestarë në kohën kur ka ndodhur incidenti.
Sipas prokurorisë, për incidentin në fjalë në vend të ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante, me ç’rast kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti.
“Prokuroria është në pritje të raporteve me të gjeturat nga ekzaminimet e kryera dhe në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së”, thuhet në njoftim.
Tutje sipas njoftimit Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë.
Dje ka shpërthyer një zjarr në ndërtesën e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Malë Gashi ka treguar për KALLXO.com se çka kanë gjetur duke u djegur kur ekipi i zjarrfikësve ka shkuar në vendin e ngjarjes tek Instituti i Mjekësisë Ligjore.
“Informata është marrë në ora 20:44 për zjarr në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Ishin duke u djegur disa tuba të letrave në 3 rafte dhe ishte krijuar tym i dendur. Është bërë shuarja e zjarrit dhe është bërë ventilimi i tymit nga ajo hapësirë” –ka thënë ai.
Komandanti i zjarrfikësve tregon se çka u djeg brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore