Foto: Komuna e Mitrovicës

Zjarrfikësit e Mitrovicës marrin donacion nga kolegu dhe bashkëvendasi i tyre nga Zvicra

Sot në njësinë e Zjarrfikësve në Mitrovicë është bërë pranim-dorëzimi i mjeteve të dhuruara nga bashkëvendasi zjarrfikës në Zvicër, Islam Osmani.

Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe drejtori për Bujqësi, Ekrem Sadiku dhe zyrtarë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilët vlerësuan lartë gjestin bashkatdhetarit, duke thënë se këto mjete do të jenë ndihmesë e madhe për zjarrfikësit e Mitrovicës, pasi që janë shumë të nevojshme gjatë intervenimeve të tyre.

Ndërsa Tahir Mikullovci, komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve në Mitrovicë, gjithashtu ka falënderuar bashkëvendasin nga Zvicra i cili ka sjellë veshmbathje dhe pajisjet tjera të nevojshme për zjarrfikësit e Mitrovicës, sepse, sipas tij, në këtë mënyrë do të rritet efikasiteti në punë.

Ky donacion i ardhur nga zjarrfikësi Islam Osmani përmbante 79 jakne, 54 helmeta si dhe 49 palë pantallona.