Zhvillimet në SHKK, gardiani caktohet u.d. zëvendësdrejtor i burgut

Në një proces mjaft interesant gardiani Besar Gashi është katapultuar nga pozita e ulët e gardianit në pozitën e u.d. zëvendësdrejtorit të burgut të Prizrenit, pozitë kjo që ka koeficientin 9, me vendime të cilat sipas zyrtarëve të Shërbimit Korrektues kanë qenë të nevojshme për shërbimin.

Gardiani që u bë shef para disa muajsh ishte vendosur në një formë të ngjashme edhe në pozitën e shefit të Njësisë së Inteligjencës.

KALLXO.com mëson se Gashi ishte vendosur në tetor për disa javë në krye të inteligjencës në një proces pa konkurs ku ai sërish ishte caktuar si udhëheqës.

Vendimet për avancimin e Gashit janë marrë nga Ali Gashi ish ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

KALLXO.com mëson se pozita në të cilën është vendosur Gashi është në nivelin 9 të koeficientit ndërsa ai deri në atë kohë ushtronte pozitën e zyrtarit korrektues koeficienti i të cilës pozitë është 6.

I pyetur nga KALLXO.com pse ka vendosur që ta avancoj për disa pozita gardianin, ish ushtruesi i zëvendësdrejtorit të SHKK-së, Ali Gashi e ka arsyetuar vendimin e tij.

“Kjo është për shkak se përgjegjësi që ka qenë në njësinë e inteligjencës është caktu drejtor i QP në Prishtinë ai përkohësisht është caktu si drejtues i asaj njësie është prit që të zhvillohen procedurat e konkursit”, tha ish-drejtuesi i SHKK-së në një bisedë përmes telefonit.

Gashi pranoi se janë anashkaluar gradat dhe pozitat por arsyeton se ka qenë i nevojshëm një zëvendësim i tillë.

“Udhëzimi nuk i lejon ato grada me i kalu të gjitha ato grada, konform atij udhëzimi nëse i përmbush kriteret zgjidhet nëse nuk i përmbush nuk zgjidhet. Udhëzimi nuk ka qenë më parë, për nevoja momentale jemi detyruar që të bëjmë zgjidhje deri të fillojnë procedurat e konkursit”, shtoi Ali Gashi.

Në bazë të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Drejtësisë për gradat e zyrtarëve korrektues, kontrollimin e të kaluarës së tyre dhe periudhën provuese dhe promovimit përmenden edhe gradat dhe funksionimin e pozitave brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ky udhëzim është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë në prill, pra muajin e kaluar.

Në një vendim që ka siguruar KALLXO.com në lidhje me përcaktimin e Gashit në Njësinë e Inteligjencës brenda SHKK-së, përmendet fakti se i njëjti ka qenë zyrtar korrektues.

Gradat e zyrtarëve korrektues vijojnë kështu: kadet korrektues nuk ka gradë fare, zyrtari korrektues ka gradë 1, mbikëqyrësi ka gradën 2, mbikëqyrësi i lartë gradën 3 dhe udhëheqësi gradën 4.

Për t`u avancuar në gradat e përmendura në paragrafin më lartë duhet të hapet konkurs i brendshëm dhe bëhet nga njësia e burimeve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme pas aprovimit nga Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së.

Pra sipas udhëzimit për gradat e zyrtarëve korrektues, për çdo avancim në gradë dhe pozitë ka kërkesa të ndryshme që duhet të ketë plotësuar në këtë rast Besar Gashi.

Në shkurt të këtij viti ka filluar edhe procesi i emërimit të zëvendësdrejtorit të ri të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Një njoftim i SHKK-së është publikuar në shkurt të këtij viti në të cilin kërkohet një pozitë, specifikisht ajo e Zëvendësdrejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

KALLXO.com ka tentuar që të marrë një përgjigje nga vetë Besar Gashi për gjithë këtë çështje.

Ai nuk pranoi të flas në lidhje me rastin pa marrë leje nga Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së.

“Pyetjet i dërgo me email, unë sapo të marrë konfirmimin e Drejtorit të Përgjithshëm që mundem me u deklaru të përgjigjem”, tha Gashi.

Në anën tjetër ka qenë Zyra për Media e SHKK-së që ka treguar se Gashi është vendosur në pozitën e Zëvendësdrejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren pasi që ka treguar performancë të mirë dhe punë profesionale.

“Pozita e Zëvendësdrejtorit ka qenë e lirë dhe e njëjta është plotësuar përkohësisht pas kërkesës së Drejtorit të QP. Prizren”, thuhet në përgjigjet e SHKK-së për KALLXO.com.

Tutje sipas përgjigjeve në lidhje me konkursin për zëvendësdrejtor të cilin është duke u ushtruar aktualisht Besar Gashi, SHKK thotë se në këtë pozitë kanë pasur të drejtë aplikimi vetëm nënpunës civil.

“Në ketë fazë të drejtë për aplikim kanë pasur vetëm nëpunësit civil ekzistues të së njëjtës kategori të punësuar në të njëjtin apo në një tjetër institucion të shërbimit civil”, thuhet tutje në përgjigje.

Për shkak që asnjë kandidat nuk ka aplikuar SHKK kishte thënë për KALLXO.com se procesi ka dështuar dhe është hapur procedurë e konkurrimit për avancim e cila është në fazën e vlerësimit të kandidatëve.