Zëvendësministri Thaçi ofron sqarime shtesë për mësimin në distancë

Zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, ka dhënë sqarime shtesë për mësimin në distancë, të cilin Ministria e Arsimit ka filluar ta aplikojë sot.

Thaçi përmes një postimi në Facebook ka thënë se ligjëratat kanë vazhduar prej aty ku është ndërprerë mësimi në shkollat e komunës së Prishtinës.

Zëvendësministri po ashtu ka treguar edhe për shtimin video-ligjëratave duke thënë që procesi po shkon ngadalë për shkak të respektimit të distancës si dhe përgatitja e video-incizimeve në 3 gjuhë.

Në fund Thaçi ka thënëse video-incizimet nuk janë perfekte duke kërkuar mirëkuptim në rast të lëshimeve teknike.

Sot pas disa ditësh pushimi, ka filluar mësimi online për të gjithë nxënësit e Kosovës.

Siç ka njoftuar Ministria e Arsimit, mësimi do të  zhvillohet vetëm në lëndët Gjuhë Shqipe dhe Matematikë dhe materialet janë të gatshme për nivelin 1-5, kurse ditëve në vijim pritet të përgatiten për nivelet e tjera.

KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca që ka filluar sot.

Mësimi po transmetohet në mediumin publik, RTK, në kanalin RTK 1 dhe RTK 4 si dhe në web-faqen emesimi.rks-gov.net.

Postimi i plotë i Jusuf Thaçit: 

Sqarime rreth mësimit në distancë të ofruar nga MASHTI

(Pjesa e dytë – “Prerja”, sasia dhe cilësia e materialeve mësimore)

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) sot ka filluar me ofrimin e mësimit në distancë duke ofruar materiale mësimore, përkatësisht video-ligjërata.

Gjatë ditës ka pasur shumë pyetje, komente e vërejtje, të cilave po mundohem t’i përgjigjem përmes sqarimeve në vijim:

  1. Megjithëse plan-programet për klasat 1-9 janë uniforme për krejt Kosovën, disa shkolla/komuna ecin më shpejt e disa më ngadalë me realizimin e plan-programeve. Prandaj, prodhimin e materialeve mësimore e kemi filluar prej ditës kur është ndërprerë mësimi (“prerja”), duke e marrë për bazë Komunën e Prishtinës, meqë edhe mësimdhënësit e angazhuar janë nga kjo komunë. Kjo nënkupton se disa komuna mund të jenë më përpara ose më mbrapa me plan-program, por nuk kemi pasur mundësi që t’i përshtatemi secilës komunë veç e veç.
  2. Sot janë transmetuar dhe publikuar vetëm 10 video-ligjërata, nga 2 për secilën prej klasave 1-5 (1 gjuhë shqipe dhe 1 matematikë). Në ditët në vijim do të publikohen shumë më shumë video-ligjërata për klasat 1-9, fillimisht për gjuhë shqipe dhe matematikë. Në ndërkohë do të zgjerohemi edhe me lëndët tjera të rëndësishme nga shkencat ekzakte e shoqërore. Jemi duke punuar me tempo maksimale për prodhimin e mbi 50 video-ligjëratave brenda një dite, të cilat përveç për parapërgatitje e për xhirim, kanë nevojë edhe për montim, post-produksion e organizim para se të publikohen. Kjo punë po na vështirësohet shumë për shkak të situatës me Covid-19, përkatësisht detyrimit që të punohet me grupe shumë të vogla e me respektim të distancës mes njerëzve. Veç kësaj, ministria është e detyruar të prodhojë edhe materiale mësimore në gjuhët e komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë, përveç në gjuhën shqipe. Kjo nënkupton se e njëjta punë duhet të bëhet së paku trefish në gjuhë të ndryshme. Të gjitha këto e shumë të tjera që mund të përmenden e bëjnë këtë proces shumë të ndërlikuar e shumë të ngadalshëm.
  3. A janë perfekte materialet mësimore që po prodhohen?! Absolutisht jo! Por, keni parasysh që nuk jemi duke vepruar në rrethana perfekte. Madje, fatkeqësisht, as në rrethana normale nuk jemi. Prandaj, jemi të vetëdijshëm që ka lëshime e gabime teknike e përmbajtësore, për të cilat kërkojmë ndjesë e mirëkuptim, por e kemi të pamundur që të kthehemi e t’i ri-xhirojmë ato video-ligjërata që kanë të meta, sepse nuk na lejojnë kushtet, koha dhe mundësitë që kemi në dispozicion. Normalisht që jemi duke u munduar që gradualisht t’i minimizojmë këto të meta, lëshime e gabime teknike e përmbajtësore te video-ligjëratat e ardhshme, për aq sa mundemi në këto rrethana.