Zelensky në Filipine për të kërkuar mbështetje për samitin e paqes

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, arriti për një vizitë të paparalajmëruar në Filipine, ku pritet të promovojë një samit të paqes, që do të mbahet këtë muaj në Zvicër.

Zelensky, i cili mbërriti në Manila nga Singapori, ku mori pjesë në një samit të sigurisë, u takua me presidentin e Filipineve, Ferdinand Marcos.

“Ne folëm për Samitin inaugurues Global të Paqes dhe rëndësinë e përfaqësimit të vendeve të Azisë Juglindore atje. Më vjen mirë që Filipinet do të marrin pjesë në samit”, shkroi Zelensky në X.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin dypalësh, veçanërisht eksportin e produkteve bujqësore ukrainase në Filipine, tha ai.

Një ditë më herët, presidenti ukrainas qëndroi në Singapor, ku zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe, duke përfshirë me presidentin e Indonezisë, me kongresistë amerikanë dhe me shefin e Pentagonit, Lloyd Austin.

Ai, po ashtu, foli në samitin vjetor të mbrojtjes, Shangri-La.

Rusia nuk ka marrë pjesë në ngjarjen në Singapor prej se ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, dy vjet më parë./REL