Avni Bytyqi PDK - FOTO PDK

Zëdhënësi i PDK-së e akuzon koalicionin LDK-AAK për tradhti në rastin e liqenit të Ujmanit

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi përmes një shkrimi në ‘Facebook’ ka akuzuar LDK-në dhe AAK-në për tradhëti, në lidhje me marrëveshjen ekonomike të nënshkruar në Uashington.

Bytyqi ka shkruar se PDK-ja është akuzuar për një kohë të gjatë nga LDK-ja, AAK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje për cënimin e tërësisë territoriale dhe sipas tij, shumë gënjeshtra ia kanë veshur PDK-së.

“Mirëpo e vërteta e pa kontestueshme e faktike, është se PDK, kurrë nuk ka vendosur nënshkrim në ndonjë dokument në çfarëdo formati që ka cenuar Kosovën, integritetin dhe sovranitetin e saj. Veprimi skandaloz i Kryeministrit Hoti dhe z. Haradinaj që Ujmani të shqyrtohet si çështje e pazgjidhur me Serbinë, është kundër kushtetues, akt i qartë tradhtie ndaj karakterit unitar të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Bytyqi.

Sipas tij, nën udhëheqjen e PDK-së, është bërë dialog me Serbinë, por që ky dialog i ka sjelëë mbi 100 njohje ndërkombëtare Kosovës e ka mundësuar formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Të gjitha temat që i ka mbyllur PDK-ja në emër të Kosovës, sot në nivelin teknik po ri-hapen nga LDK-ja dhe AAK-ja në dialogun e tyre teknik në Bruksel me Vuçiqin”, ka shkruar në fund zëdhënësi i PDK-së.