Zbardhja e krimeve të luftës, Haxhiu kritikon qeverisjet e kaluara dhe misionet ndërkombëtare për sundim të ligjit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se kërkesa për lëshimin e urdhërarrestit ndërkombëtar për kriminelët e masakrës së Reçakut është lajm i mirë për drejtësinë dhe shtetin e Kosovës, duke shtuar se “për herë të parë po shihen përpjekjet serioze për trajtimin e krimeve të luftës”.

“Kërkesa për lëshimin e urdhërarrestit ndërkombëtar për kriminelët e Masakrës së Reçakut është lajm i mirë për drejtësinë dhe shtetin tonë sepse për herë të parë po shihen përpjekjet serioze për trajtimin e krimeve të luftës. Ky është një lajm që qytetarët dhe familjarët e të vrarëve e prisnin prej vitesh”- ka shkruar ajo në Facebook.

Haxhiu mes tjerash ka kritikuar qeverisjet e kaluara si edhe misionet ndërkombëtare të drejtësisë, në lidhje me trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.

“Qeverisjet e kaluara sikurse edhe sistemi prokurorial në krye me ish kryeprokurorin Lumezi nuk kanë pasur as vullnetin e as interesin për trajtimin serioz të këtyre krimeve ndaj popullit tonë. A duhet të japin përgjegjësi për gjithë këtë mosveprim? A duhet të japin përgjegjësi KPK që ende edhe përkundër faktit që kemi shtuar buxhetin që më shumë se 16 muaj, nuk është plotësuar me prokurorë e bashkëpunëtorë, Departamenti për krime lufte në kuadër të PSRK? A ka përgjigje sistemi se pse nuk po zbatohen dispozitat për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës edhe përkundër që kemi hequr pengesat?”- ka shkruar ajo.

Sipas ministres shumë më tepër do të mund të bëhej menjëherë pas luftës, për zbardhjen e krimeve.

“Është tejet e rëndë që misionet e instaluara në Kosovë, UNMIK e EULEX sikurse edhe sistemi jonë i drejtësisë nuk kanë bërë sa duhet në drejtim të hetimit dhe gjykimit të shumë krimineleve të luftës me qëllim që të sjellim drejtësi për qindra masakra në Kosovë sikurse edhe për Masakrën e Reçakut të cilën e rikujtuam dje.
Shumë më tepër do të mund të bëhej menjëherë pas luftës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, e në veçanti nga 2018 e këtej.
Institucionet tona jo vetëm që janë themeluar nga gjaku i të rënëve dëshmorë edhe martirë, por e kanë obligim themeltar të sjellin drejtësi për secilin krim të kryer nga shteti i Serbisë”- thuhet në publikimin e Haxhiut.

Kryeministri Albin Kurti të dielën ka thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar 18 fletë-arreste ndërkombëtare për 18 serbë të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në masakrën e Reçakut.

Këtë deklaratë Kurti e dha në ceremoninë e cila dje, për shënimin e 24 vjetorit të Masakrës së Reçakut ku u vranë 45 shqiptarë civil në mesin e tyre, fëmijë gra e të moshuar.

“Duke u thirrur në dëshmitë e kohës, në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e Tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletëarreste ndërkombëtare për 18 persona, serbë, që dyshohen për pjesëmarrje në kryerjen e Masakrës së Reçakut”- tha Kurti.

Më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.