Zaev: Një pjesë e marihuanës së vjedhur ndodhet në Kosovë

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, ka deklaruar të hënën se një pjesë e substancës narkotike që ishte vjedhur nga një uzinë për përpunimin e kanabisit, ka përfunduar në Kosovë.

Dy tonë marihuanë ishin vjedhur më 3 dhjetor në lokalitetin Josifovë afër qytetit të Vallandovës në pjesën juglindore të Maqedonisë së Veriut.

“Ministria e Punëve të Brendshme po vepron në mënyrë efektive. Një pjesë e asaj që ishte vjedhur në rajonin Vallandovës tashmë është zbuluar në zonën e Haraçinës, një pjesë është në Kosovë, shërbimet po punojnë për ta zbuluar atë deri në fund dhe për të sjellë para drejtësisë të gjithë përgjegjësit”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev në një konferencë online për mediat në Shkup.

Pas njoftimin për vjedhjen e substancës narkotike, policia maqedonase më 7 dhjetor kishte zhvilluar një aksion të gjerë në fshatin Haraçinë të Shkupit, ku edhe janë gjetur 231 kilogramë marihuanë. Gjatë aksionit policor ishin arrestuar disa persona, por detaje tjera nuk janë dhënë.

Policia nuk ka dhënë detaje as për vjedhjen e marihuanës nga persona të maskuar dhe të armatosur në uzinën e licencuar për përpunimin e marihuanës për nevoja shëndetësore./REL