Ndërtesa e Telekomit, FOTO: BIRN

Telekomi synon të hyjë në kredi për të shlyer borxhin ndaj biznesit të Blerim Devollit

Telekomi i Kosovës po synon të hyjë në kredi për të paguar borxhin ndaj biznesit të Blerim Devollit, Z-Mobile.

Kjo ndërmarrje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të lëshojë një garancion shtetëror për të paguar borxhin. Garancionet shtetërore duhet të miratohen nga Qeveria dhe 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

KALLXO.com ka marrë vesh që Telekomi i Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që të dërgojë një letër mbështetëse në Ministrinë e Financave për të kërkuar një garancion shtetëror për kredi.

Lulzim Rafuna, këshilltari i ministrit të Financave, Bedri Hamza, e ka konfirmuar për KALLXO.com se grupi punues është duke u marrë me këtë kërkesë për garancion shtetëror.

“Është formuar grupi punues qysh e lyp rregullorja, janë duke e shqyrtu kërkesën edhe shumë shpejtë grupi punues do t’i rekomandojë ministrit se çka duhet të bëhet. Grupi punues e shqyrton bazën ligjore, i shqyrton krejt kërkesat ligjore dhe grupi punues ia rekomandon ministrit se cila është procedura tutje”, ka deklaruar Rafuna për KALLXO.com.

Rafuna po ashtu ka thënë se posa ka arritur letra me kërkesën për garancion shtetëror ka hyrë në procedurë dhe është duke u shqyrtuar.

KALLXO.com ka marrë vesh se Komiteti ndërministror nuk është takuar asnjëherë që nga data 8 maj kur ishte siguruar afati shtesë nga krerët e kompanisë Dardafon, Blerim Devolli. Por, burimet e KALLXO.com thonë se gjatë kësaj kohe ka pasur takime joformale të përfaqësuesve të Telekomit të Kosovës dhe MZhE-së. Gjatë këtyre takimeve, përfaqësuesit e Telekomit të Kosovës kanë kërkuar nga MZhE që në formë të mbështetjes dhe që të kenë qasje më të lehtë të dërgojnë një letër në Ministrinë e Financave për të kërkuar garancion shtetëror për kredi.

KALLXO.com po ashtu ka kontaktuar  Telekomin e Kosovës për t’i pyetur në lidhje me planin e tyre për pagesën e borxhit. Por ata kanë thënë se ende nuk kanë bërë publik ndonjë plan se si do ta trajtojnë këtë situatë.

“Telekomi i Kosovës ka angazhuar, përveç resurseve të brendshme, edhe ekspertizë të jashtme, legale dhe financiare për të vlerësuar se cila është rrugëzgjidhja më e arsyeshme që të dyja palët të gjejnë interesin e përbashkët. Një vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje, do të jetë transparent dhe publik”, thuhet në përgjigjen e Telekomit për KALLXO.com.

Tutje në përgjigjen e Telekomit thuhet se komisionet e brendshme janë duke shqyrtuar çdo formë e cila do të ishte e përballueshme për Telekomin dhe konform një projeksioni më afatgjatë duke analizuar gjendjen në të cilën gjendet Telekomi.

Më 8 maj është mbajtur takimi i Komitetit ndërministror për ndërmarrjet publike, ku ka qenë i pranishëm edhe pronari i Z-Mobile, Blerim Devolli. Në këtë takim është rënë dakord që Telekomit të Kosovës t’i jepet kohë deri më 15 qershor për të përpiluar një plan për realizimin e pagesave për borxhin ndaj Z-Mobile.

“Pas një diskutimi nga të gjithë të pranishmit, palët u pajtuan që deri më 15 qershor të bëjnë një plan të pagesave ndaj këtij borxhi. Në këtë formë, grupet negociuese nuk do të vendosin temën e pagesës në diskutime”, kishte shkruar ministri Lluka në Facebook.

Bedri Istrefi, kryeshef ekzekutiv i Telekomit, dhe Besa Shatri, kryetare e Bordit, janë zotuar që të dalin me një plan konkret të shlyerjes së detyrimeve ndaj Z-Mobile, sipas vendimit të Arbitrazhit ndërkombëtar. Me këtë propozim janë pajtuar edhe përfaqësuesit e Z-Mobile, të cilët, në mënyrë që t’i jepet kohë Telekomit për të përpunuar planin, kanë pranuar që procesi i përmbarimit të detyrimeve të shtyhet deri më datën 15 qershor 2019.

Pajtueshmëria për mosekzekutim të borxhit është arritur për t’i dhënë hapësirë bordit të Telekomit dhe Dardafon të diskutojnë çështjen e fatit të Z-Mobile. Marrëveshja aktuale e Telekomit me Dardafon për Z-Mobile si MVNO skadon në mes të këtij viti.

Telekomi i Kosovës rishtazi ka pranuar një paralajmërim nga kompania Z Mobile për pagesën  e borxhit mbi 25 milionë eurosh, nën kërcënimin se do ta përmbarojnë.

Telekomi i Kosovës ka hyrë në negociata me kompaninë Dardafon.net L.L.C, pronë e Blerim Devollit, për vazhdimin e kontratës për operator virtual- Z-Mobile. Vazhdimi i kontratës po kushtëzohet nga një borxh prej 25 milionë euro që Telekomi ia ka kompanisë së Blerim Devollit, pasi kjo e fundit kishte fituar Arbitrazhin. 

Muaji korrik i këtij viti do të shënojë fundin e kontratës 10 vjeçare mes Telekomit dhe Z-Mobile, por vazhdimi i kësaj kontrate po negociohet në të njëjtën kohë me borxhin 25 milionësh. Në kohën kur negociatat po vazhdojnë, Dardafon.net L.L.C i është drejtuar Telekomit me një ultimatum prej dy javësh për ta paguar borxhin prej rreth 25 milionë eurosh.

Kontesti në mes të kompanisë Dardafon dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, Z-Mobile (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë Z-Mobile, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë Z-Mobile-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Sipas Z-Mobile gjatë gjithë kohës kanë zhvilluar takime me Telekomin e Kosovës për të gjetur një zgjidhje miqësore me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit por gjithmonë ka pasur mospërmbushje të kushteve të marrëveshjes.

“Telekomi dhe Z-Mobile gjatë gjithë kësaj kohe kanë zhvilluar takime me qëllim të kërkimit të zgjidhjes miqësore, me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit. Ne gjithmonë jemi deklaruar se nuk kemi interes që Telekomi të ketë vështirësi. Për këtë qëllim kemi iniciuar biseda për zgjidhen e një modusi, i cili ruan të dyja palët dhe paraqet një zgjidhje të qëndrueshme përpara”, thuhet në deklaratën e Z-Mobile.

“Z-Mobile” ka potencuar se atyre nuk i është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në të ardhmen Telekomi i Kosovës do t’i respektojë detyrimet e veta.