Xi Jinping nis mandatin e tretë historik si president i Kinës

Udhëheqësi i Kinës Xi Jinping e ka siguruar një mandat të tretë historik si president nga parlamenti i vendit.

Ky vendim pason një konsolidim të pushtetit që e ka bërë zotin Xi, 69 vjeç, liderin më dominues të Kinës ndër gjenerata.

Në sistemin kinez të qeverisjes, funksionet e presidentit janë kryesisht ceremoniale.

Fuqia e zotit Xi vjen nga të qenit Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste dhe Kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak (CMC).

Atij iu dorëzuan të dy postet në një kongres partie tetorin e kaluar.

Konfirmimi i mandatit të tij të tretë si president pritej gjerësisht. Emërimi i një kryeministri të ri dhe ministrave të ndryshëm në ditët në vijim konsiderohet më i rëndësishëm.

Të emëruarit e rinj pritet të jenë kryesisht besnikë të Xi Jinping. Kjo përfshin Li Qiang, i cili pritet të shërbejë si numri dy i Xi.

Të premten, Xi fitoi edhe një mandat tjetër si kryetar i CMC të Republikës Popullore të Kinës. Ka dy CMC në vend – njëra është organizatë partie ndërsa tjetra është institucion shtetëror – por përbërja e tyre është zakonisht e njëjtë.

Xi e ka forcuar sundimin e tij ndërkohë që Kina rihapet nga politika e saj me zero-Covid që ka nxitur protesta antiqeveritare. Kina po përballet gjithashtu me rënie të nivelit të lindjeve duke e kërcënuar në këtë mënyrë motorin e tij të rritjes ekonomike.

Lidhjet midis Pekinit dhe Uashingtonit mbesin të ashpra, të nënvizuara së fundmi nga akuzat që Kina e kishte spiunuar SHBA-në me balona fluturues.

Që nga Mao Ce Duni, udhëheqësit në Kinë ishin kufizuar në dy mandate në detyrë. Kur Xi e ndryshoi këtë kufizim në vitin 2018, u shndërrua në një figurë me një shtrirje të paparë që nga Kryetari Mao./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala